“Grandi” pritet të futet në “Fondin Sovran”, por Behgjet Pacolli e deklaron si aset të vetin

“Grandi” pritet të futet në “Fondin Sovran”, por Behgjet Pacolli e deklaron si aset të vetin

Behgjet Pacolli nuk e ka në planë të heqë dorë nga “Grand Hotel Prishtina”. Që disa vite e llogarit si pronë të veten, ani pse Gjykatat e Kosovës nuk e njohin si blerës. Por, as Pacolli nuk po i njehë vendimet e gjykatave vendore. Po pretë një vendim të atyre ndërkombëtare, shkruan Periskopi.

Edhe në deklarimin e pasurisë së këtij viti, në cilësinë e deputetit të Kosovës, Pacolli ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Pos që ka deklaruar pasuri milionëshe e posedim të aksioneve në 34 kompani, në regjistrin për deklarimin e pasurisë ka shkruar që posedon aksione edhe për hotelin Grand, duke e futur si pasuri të paluajtshme të tij, si pronë të përbashkët

Në bazë të deklarimeve, vlera e Hotelit, llogaritet të jetë 3 milionë e 630 mijë euro.

“Hoteli Grand është Ndërmarrje Shoqërore Hoteliere e cila ishte shitur nga Agjenica Kosovare e Mirëbesimit në Valën 8 të privatizimit përmes metodës së Sppin-off-it Special, që është mbajtur në muajin tetor të vitit 2006. Blerësi i ri përveç çmimit 8 milionë e 160 mijë euro kishte për obligim që të investonte 20 milionë e 200 mijë euro gjatë periudhës së monitorimit dhe të punësonte 570 punëtorë. E njëra prej kompanive në konzercium ishte edhe ajo e Pacollit, “MabCO”.

Për shkak të mos përmbushjes së këtyre kushteve të kontratës, Agjencia Kosovare e Privatizimit në muajin maj të vitit 2012 ka vendosur të tërheq aksionet në ndërmarrjen e re ‘Grand Hotel’ dhe ta kthej këtë ndërmarrje nën administrimin e vet”.

Me datë 2 shkurt të vitit 2015, me vendim të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Grand Hotel është vendosur në proces të likuidimit.

Në vitin 2007, me një marrëveshje të fshehtë, kompania e Pacollit përmes Zylqif Berishës, që më vonë do të njihej për një kohë si pronarë i këtij hoteli pagoi afro 6 milionë euro në garën për të blerë objektin.

“Paratë për blerjen e hotelit Grand janë paguar nga llogaria e Mabco Construction në Zvicërr dhe nëpërmjet bankës më të madhe zvicerrane UBS janë paguar për blerjen e 40 përqind të aksioneve të këtij objekti. Gjithashtu është dorëzuar projekti i detajizuar për investimet dhe për këto MABCO ofroi garancionet bankare për 39 milion euro investime, investim ky i cili përveçse do t’i jepte shkëlqim Prishtinës, do të punësonte gjithashtu punësimin e qindra qytetarëve”, kishte sqaruar gati një dekadë më vonë vet Behxhet Pacolli.

Punët, sipas Pacollit është dashur të fillojnë me përpikmëri sipas kontratës me Spin OFF gjatë vitit 2007.

“Por, grupet mafioze në Kosovë të mbështetur edhe nga politika, nëpërmjet mekanizmave që i kishin instaluar vet, bllokuan qdo gjë, nga ana tjetër, duke inkasuar paratë që ishin paguar nga Mabetexi nëpërmjet rrugëve legale bankare”, kishte thënë Pacolli.

Në dy vendime të gjykatave me të larta në Kosovë as ai e as kompania e tij, nuk njihen si blerës.

Në korrik të viti 2017, kompania e Pacollit “Mabco” me seli në Zvicër ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për Hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e kthej në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit.Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por edhe bazuar në vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe atij të Gjykatës Kushtetuese, padisë së Pacollit në Arbitrazh i mungon baza ligjore.

Kjo sepse gjykatat e të gjitha niveleve në Kosovë nuk e njohin atë si blerës të Grandit.

Në vitin 2020 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kishte  filluar me procedurat për t’iu ofruar ndërmarrjen shoqërore “Hotel Grand” në Prishtinë, investitorëve privatë. Kjo po bëhet përmes Ligjit për investime strategjike.

Por, më pas procesi ishte stopuar, dhe akullishtë, Qeveria Kurti e ka në planë që të nijetin ta futë në “Fondin Sovranë”. Por që të ndodhë kjo i duhët të fitojë betejën në Gjykatën e Arbitrazhit me Behxhet Pacollin.

Tashmë, Qeveria ka angazhuar Qerim Qerimin për ofrimin e ekspertizave ligjore në kontestet milionëshe kundër afaristit Bedri Selmani dhe firmës “MabCO” të Behgjet Pacollit. Profesori i UP-së ka dëshmuar në favor të shtetit kundër Selmanit në tetor të vitit të kaluar. Të njëjtën pritet ta bëjë edhe në rastin e “MabCO”.

Grand Hotel ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe nga përafërsisht 32.000 m2. Hoteli është i pajisur me objekte tjera: restaurant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.

Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese e të tjera. /Periksopi/

Shpërndaje në: