Guvernatori flet lidhur me pretendimet për korrupsion e nepotizëm në BQK

Guvernatori flet lidhur me pretendimet për korrupsion e nepotizëm në BQK

Një letër anonime i është dërguar Agjencisë Kundërkorrupsion dhe medieve para disa ditësh, me pretendime për korrupsion, nepotizëm, punësime partiake e keqpërdorime të tjera në Bankën Qendrore të Kosovës.

Në lidhje me këto pretendime në një intervistë për RTK-në, guvernatori Fehmi Mehmeti i ka mohuar të gjitha këto akuza, duke thënë se letra është e sajuar me të pavërteta nga grupe të caktuara të interesit.

“Është një letër e sajuar më të pavertata e që kanë për qëllim t’i shtyjnë agjendat e tyre një grup i caktuar i interesit, duke e dëmtuar reputacionin e Bankës Qendrore. Unë si guvernator e kam për obligim të mbroj reputacionin e Bankës Qendrore dhe në asnjë mënyrë nuk lejoj që individ të shtyjnë përpara agjendat personale, duke e dëmtuar reputacionin e BQK-së, nisur prej faktit që Banka Qendrore është më e rëndësishmë se çdo individ tjetër, dhe marrë parasysh se Banka Qendrore gëzon një kredibilitet shumë të lartë te faktori vendorë dhe po ashtu edhe te faktori ndërkombëtar”, ka theksuar Mehmeti.

Në pyetjen nëse është kontaktuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, Mehmeti tha se nuk është kontaktuar nga AKK, po nga organet e drejtësisë po. “Kam kërkuar prej stafit të BQK-së, që kanë kontakte direkte me policinë e me prokurorinë dhe në komunikatën që e kam lëshuar më pas, i kam bërë thirrje prokurorisë dhe të gjitha organeve të drejtësisë le të vinë dhe le të hetojnë, unë jam i  hapur. Ne BQK-në e qeverisim duke u bazuar në standardet më të larta të profesionalizimit, transparencës dhe llogaridhënies”, ka shtuar Mehmeti.

Shpërndaje në: