Hajrullah Çeku merr mbështetje “të fortë” për ballotazh nga një një kandidat që fitoi veç 181 vota
Lëvizja Vetëvendosje, për balotazhin e 9 nëntorit, është dakorduar për bashkëpunim me listën “Prishtina në dorën tënde”, e cila në raundin e parë garoi me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Agim Krasniqi, i cili mori veç 181 vota.
Lajmin e ka bërë të ditur kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”.
“Rrugëtimit tonë drejt fitores së 9 nëntorit, i bashkohet edhe lëvizja qytetare “Prishtina në dorën tënde”. Në takimin me listën dhe kandidatin Agim Krasniqi, u dakorduam për bashkëpunimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe listës “Prishtina në dorën tënde” për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Prishtinës”.
“Nevoja për ndryshim në Prishtinë po bashkon vullnetet e qytetarëve. E bashkë, do ta bëjmë Prishtinën një qytet që funksionon, të zhvilluar dhe të barabartë”, ka shkruar ai.
Për Prishtinën, në balotazhin e 9 nëntorit do të garojnë kryetari aktual, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të njëjtën pozitë, Hajrulla Çeku.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar katër komuna: Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën pa balotazh në tri komuna: Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar fitore në dy komuna, Lipjan dhe Istog, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan, e Nisma Socialdemokrate në Malishevë.



