Hamza: 20% nuk është rritje e pagës, por barazim me inflacionin

Hamza: 20% nuk është rritje e pagës, por barazim me inflacionin

Kryetari i Mitrovicës dhe ish-ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se rritja prej 20% e pagave dhe pensioneve, nuk është rritje por barazim me inflacionin.

Ai ka bërë thirrje që të rriten pagat në sektorin publik dhe me shpejtësi të aprovohet dhe nis zbatimi i Ligjit për Paga.

Hamza ka vlerësuar që rritja e pagave nuk e dëmton buxhetin e shtetit në masë të lartë.

“Rritja e pagave në masë 20% nuk është rritje, rritja në masë 20% nuk është, por indeksim, barazim, në raport me rritjen e çmimeve. Çka të flasim për rritje mbi 20%, atëherë po flasim për rritje të pagave”, ka thënë Hamza në T7.

Hamza ka thënë se inflacioni i muajve të fundit ka varfëruar qytetarët.

Ai ka thënë se vetëm për shpenzime të rrugës e ushqim, një punëtori të sektori publik i shpenzohen 200 euro nga paga 400 euro.

“Duhet ta kuptojmë që gjendja sociale e njerëzve tanë nuk është e mirë. Një pagë mesatare prej 400 euro e një shërbyesi civil, 200 euro nuk ia mbulojnë nevojat e shpenzimeve të ushqimit dhe rrugës në punë”, ka thënë Hamza.

I  pari i Mitrovicës tha se vlera e pagave është më e vogël.

“Qytetarët e Kosovës nominalisht i marrin të njëjtat paga, por realisht pagat e tyre kanë vlerë më të vogël. Ndoshta sot nuk mundesh me ble artikuj me 150 euro sa ke blerë para dy-tri vjetëve me 100 euro”, tha Hamza.

Ai tha se “tash po kërkohet një minimum i ruajtjes së vlerës reale të parasë”

Kujtojmë që sipas ASK-së, inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, ka arritur në 13 për qind. Kjo rritje e inflacionit përkthehet me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë këtë vit. Ndërsa, në krahasim me korrikun 2022, inflacioni në gusht u rrit për 0.2 për qind. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 13.0% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin gusht 2021.

Shpërndaje në: