Hapja e arkivës së UÇK-së: Çka tha Kurti se shpreson të gjejë në arkivat e Serbisë?

Hapja e arkivës së UÇK-së: Çka tha Kurti se shpreson të gjejë në arkivat e Serbisë?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më në fund ka folur për çështjen e hapjes së arkivave që u bë temë e bujshme pas deklaratave të zëvendësit të tij, Besnik Bislimit. Ai ka deklaruar se nga hapja e arkivave të Serbisë pret që të dihen ‘urdhërdhënësit’ e krimeve në Kosovë, dhe se arkiva e Kosovës për UÇK-në ka qenë e hapur deri tash.

Kurti e ka vazhduar retorikën e z. Bislimi duke argumentuar se si hapja e arkivës për UÇK-në, në fakt, nuk përbën ndonjë problem për Kosovën.

Ai ka argumentuar se Kosova duke qenë nën administrim ndërkombëtar ka qenë vend transparent e i hapur.

“Pikënisja jonë si Qeveri nuk është imagjinata mbi gatishmërinë e Serbisë por mbrojtja e interesit tonë dhe vullneti për të drejtën dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar, kryefjalë duhet ta kemi hapjen e arkivave atje,” – deklaroi kryeministri.

Kur z. Bislimi kishte dhënë deklaratën për arkivën e UÇK-së, qeveritarët serbë kishin deklaruar se Prishtina për herë të parë po pranon se ekziston një arkiv për UÇK-në të cilën ende e mendojnë si terroriste.

Pala serbe ka insistuar tash e sa kohë që të hapet arkiva shtetërore për UÇK-në, në mënyrë që të zbardheshin krimet e luftës kundër banorëve etnikë serbë dhe të tjerë joshqiptarë që pretendohet të jenë bërë nga luftëtarët e UÇK-së.

Pala kosovare, në krye me Kurtin, konsideron që Kosova nuk ka se çka të fsheh në arkiva. Dhe deklarata e sotme e Kurtit i mëshon përforcimit të kësaj ideje.

Por, nëse Serbia potencialisht nuk gjen asgjë inkriminuese në arkivën e UÇK-së në Kosovë dhe as Kosova nuk gjen asgjë inkriminuese në arkivën e Serbisë – kjo do të nënkuptonte megjithatë barazimin e të dyja palëve si agresore/viktima në tavolinën e negociatave derisa nuk do të ndihmohej çështja e të pagjeturve.

“…Neve na duhet ta zbardhim fatin e të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serbë, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar…” – deklaroi Kurti.

A do të ishte e besueshme një deklaratë e tillë e Kurtit ose ndonjë politikani tjetër kosovar nëse pas hapjes së arkivave të Serbisë nuk gjendet asgjë?

RTK ka raportuar ditë më parë se shefi i Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, kishte urdhëruar zhdukjen e arkivave serbe të luftës./Periskopi 

 

Shpërndaje në: