Haradinaj: Ftuam edhe Tony Blairin, por nuk erdhi, organizimi lë për të dëshiruar

Haradinaj: Ftuam edhe Tony Blairin, por nuk erdhi, organizimi lë për të dëshiruar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka arritur atje ku i kishte synimet edhe pas 20 vjetëve të çlirimit të saj.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se vizioni i shtetit ishte që të mos kthehen në Serbi por të integrohen në Bashkimin Evropian.

“Ne në vizionin tonë nuk i kemi pasur të qarta krejt aspektet dhe sfidat që e presin vendin tonë, por mendoj që objektivat nuk kanë ndryshuar. Nuk e kemi pasur objektiv rikthimin në Serbi por integrimin në BE në anëtarësimin në NATO dhe OKB. Por jemi larg nuk jemi atje ku jemi nisur”, tha Haradinaj.

Duke folur për organizimin e manifestimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se është në traditën e shqiptarëve falënderimi dhe mirënjohja, mirëpo sipas tij, ish-presidenti Bill Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit amerikan, Madeline Albright dhe gjenerali amerikan, Wesley Clark e meritojnë të falënderohen edhe në aspektin njerëzor, transmeton Koha.net.

Ai thotë se organizimi i manifestimit të 20 vjetorit ishte i mirë, por që lë për të dëshiruar.

“Organizimi lë për të dëshiruar, por mund të nxjerrim mësime. Protokolli ishte në përgjegjësi të presidentëve. Populli ishte i mrekullueshëm, qëndruan në atë temperaturë, në këmbë, ishte situatë e ndjeshme, por kanë bërë punë të mirë”, ka shtuar ai.

Ai thotë se ka pasur ftesa për shumë miq ndërkombëtar të Kosovës, por që nuk iu kanë përgjigjur ftesës. Përmend edhe ftesën ndaj ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, por thotë se ai nuk ka ardhur.

Ndërkaq, Haradinaj falënderoi SHBA-në si lidere të NATO-s, por edhe të gjitha vendet tjera anëtare për intervenimin në Kosovë.

“Mendoj që koalicioni NATO në veprimin e vet ishte së bashku me të gjitha vendet, dhe ne i falënderojmë të gjithë për kontributin e tyre. Ne e falënderojmë Amerikën si lidere e NATO-s”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: