Haradinaj kujton Betejën e Zhegocit dhe të rënët në Sllovi dhe në Lagjen e Boshnjakëve

Haradinaj kujton Betejën e Zhegocit dhe të rënët në Sllovi dhe në Lagjen e Boshnjakëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar “Betejën e Zhegocit” në 25-vjetorin e saj.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se duke kujtuar sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut, rezistencën, sakrificën dhe rënien e bijve më të mirë të saj. Haradinaj në shkrimin e tij ka kujtuar gjithashtu martirët e rënë në Sllovi të Lipjanit dhe në Lagjën e Boshnjakëve në Mitrovicë.

Shkrimi i plotë:

15 prilli i pranverës së fundit në robëri, gjeti pushtuesin në një operacion të gjerë për spastrim etnik, e përballë tyre, luftëtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kujtojmë sot Betejën e Zhegocit dhe nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut – rezistencën dhe sakrificën e luftëtarëve më të zotë të saj!

Po të njëjtën ditë, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, armiku do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit, duke vrarë civilë të pafajshëm shqiptarë. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

Më shumë se dy dekada e drejtësia ende nuk është vënë në vend. Ne nuk do t’i ndalim përpjekjet tona që ata të cilët kryen këto krime të marrin dënimin e merituar.

Shpërndaje në: