Historianët e Deçanit ia pështjellin William Walkerit, i japin një çmim por s’i tregojnë ku ta marrë

Historianët e Deçanit ia pështjellin William Walkerit, i japin një çmim por s’i tregojnë ku ta marrë

Komuna e Deçanit është e njohur në Kosovë për një varg gjërash: mbiemrat që përfundojnë me ‘aj’, Kishën mesjetare Ortodokse Serbe, Ramush Haradinajn, dhe Lidhjen e Historianëve me emrin “Ali Hadri”.

Sot, kjo lidhje historianësh të kësaj komune, që nuk dihet se sa anëtarë ka ose se si funksionon, do të dorëzojë titullin “Krenaria e Kombit shqiptar” për Ambasadorin William Walker, mbiemri i të cilit në versionin deçanas do të përkthehej në William Walkeraj.

Si dhe për kombin shqiptar të autorizuar që të japin çmime mund të jenë më kompetente komunat e Republikës së Shqipërisë.

Nuk dihet nëse z.Walker do të denjojë që të marrë një titull të tillë nga kjo degë e lidhjes së historianëve, shkruan Periskopi.

Por, në rast se veprimin e kësaj dege historianësh nga Deçani vendosin ta bëjnë edhe të gjitha degët e tjera të historianëve nëpër Kosovë, atëherë z.Walker do t’i duhej ta bënte një tur mjaft të gjatë nëpër të gjitha qytetet e qytezat e vendit tonë. Mjaft e lodhshme, apo jo?

Sidoqoftë, në njoftim thuhet se në ceremoni pritet të jetë i pranishëm ambasadori Walker për të marrë çmimin, por edhe kryetari i Komunës, z.Bashkim Ramosaj.

Ngjarja mbahet në ora 13:00, por një gjë tjetër që shqetëson është edhe salla. Thuhet se kjo sallë ndodhet në katin e katërt të sallës edhe pse nuk jepen sqarime nëse kjo ndërtesë ka ashensor. Megjithatë, në një faqe tjetër thuhet se z.Walker mund ta marrë çmimin edhe në katin e tretë të Komunës, por menjëherë në një faqe tjetër përsëritet që çmimi mund të merret në katin e katërt. Pështjellime të zakonshme burokratike të komunave tona./Periskopi

Shpërndaje në: