IKD i reagon MD-së: Përmes mashtrimit tenton t’i ikë përgjegjësisë në luftimin e dhunës ndaj grave

IKD i reagon MD-së: Përmes mashtrimit tenton t’i ikë përgjegjësisë në luftimin e dhunës ndaj grave

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka reaguar Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se po tenton t’i ikë përgjegjësisë në luftimin e dhunës ndaj grave, përmes mashtrimit publik.

Kjo pasi, zëvendësministri Blerim Sallahu përmes një postimi të martën në Facebook listoi “punët e ministres Albulena Haxhiu” në adresimin e dhunës në familje dhe asaj në bazë gjinore, e që sipas IKD-së 2/3 e 29 “punëve të ministres” nuk përbëjnë punë të saj e as MD-së dhe se ai paraqiti rrejshëm aktivitete si punë të Ministrisë.

IKD thekson se në ditën kur Kosova u trondit nga një vrasje tjetër e grave, askush nuk reflektoi dhe askush nuk dha dorëheqje.

Përkundrazi, IKD thotë se institucionet shtetërore nxituan të shpërfaqin punën e tyre në luftimin e dhunës në familje, si formë e tentimit për t’iu shmangur përgjegjësisë.

“Vrasja e cilësdo grua, veç pse është grua, është dështim shtetëror! Dështimet e institucioneve shtetërore në mbrojtjen e jetëve të grave u konstatuan në dy raste nga Gjykata Kushtetuese. U konstatua dështimi i Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë. Përkundër kësaj, ende nuk ka reflektim për ndryshime në praktikë. Gratë po vazhdojnë të vriten, institucionet të krekosen për “sukseset” e tyre, e t’i ikin përgjegjësisë”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në përsiatje për t’i ikur përgjegjësisë, rrejshëm tentoi të marrë merita, duke listuar shumë aktivitete dhe se bëri politikë duke përdorur gratë e vrara e duke sulmuar aktivistet.

“Por, në përsiatjet për t’i ikur përgjegjësisë, zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, rrejshëm, tentoi të merr merita. Rrejshëm, duke listuar shumë aktivitete, ai bëri politikë duke përdorur gratë e vrara, e duke sulmuar aktivistet. Por, prapë logjikisht, nuk tregoi se pse të gjitha këto “punë” dështuan dhe brenda katër ditëve u vranë dy gra. Nga e gjithë lista e publikuar, më shumë se 2/3 e 29 “punëve të Ministres” nuk përbëjnë “punë” të Ministres, e as Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagim.

IKD thotë se janë fillimisht tri punë që nuk janë fare punë të Ministrisë, por përkundrazi janë prodhime të akterëve të tjerë, të cilat rrejshëm, Sallahu i paraqiti si punë të Ministrisë. Po ashtu, aty thuhet se edhe 7 të tjera i paraqiti si “punë” edhe pse janë aktivitete veçse të përmendura në këtë listë. Më tej, thuhet se pati edhe aktivitete që janë të pavërteta.

IKD shton se edhe 10 të tjera janë aktivitete komplet sipërfaqësore, që nuk mund të paraqiten si “punë” në ndikimin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e rrethanave dhe situatën e rënduar të sigurisë së grave në Kosovë dhe që assesi nuk përbëjnë suksese.

Ndërsa, me të gjitha telashet që kanë në përmbajtjen e tyre, IKD thotë se nga e gjithë lista e  Sallahut, mbesin vetëm 8 aktivitete të përmbushura përgjatë mandatit të ministres.

“z. Sallahu nuk tregoi as se pse këto “29 punë” nuk mbrojtën gratë, dy prej të cilave u vranë brenda 4 ditëve”, thuhet në reagim.

Shpërndaje në: