Ikja nuk është heroizëm

Ikja nuk është heroizëm

Para disa ditësh, një aktivist i Vetëvendosjes nga Podujeva e lëshoi Kosovën me një valixhe në dorë. Ai e quajti vendin tonë ‘të pashpresë’ por nuk ngurroi të shkruante edhe disa fjalë patetike, ku thoshte se si dikur e kapnim pushkën për të mbrojtur atdheun e tash po e kapnim valixhen për t’u larguar prej tij. Këto fjalë u bënë virale në rrjetet sociale, si shumë gjëra tjera që prekin mendjet dembele.

Nga statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës [ASK] deri më 2014 [dmth para eksodit të fundit: nëntor 2014 – mars 2015] rezultonte që më shumë njerëz e kishin lëshuar vendin pas luftës se sa para luftës. Domethënë, më shumë njerëz u larguan nga Kosova gjatë kohës së lirisë, se sa gjatë kohës së shtypjes.

Kësaj dukurie, psikanalisti i njohur marksist, Erich Fromm, do t’i referohej si “ikje nga liria’, nocion që i shërbeu si gurthemel për të shpjeguar përqafimin e ideve antisemite, naziste e fashiste, para Luftës së II Botërore.

Por, as ikja jonë nuk është kaq e thjeshtë edhe pse jemi shoqëri me fjalor tepër të ngushtë, me ndoshta vetëm dymijë fjalë në qarkullim. Mungesa e perspektivës ekonomike në vend – që e thjeshtuar deri në banalitet përkthehet në mungesë të përparimit për veten pas një periudhe pesë apo dhjetë vjeçare – çon në idenë se në Kosovë është zgjeruar ndjesia e lirisë, por edhe ajo e varfërisë.

Sot, ndjenjën e varfërisë mund ta ketë edhe dikush që i merr 1 mijë euro në muaj. Dje, po i njëjti mund të mos ndihej i varfër edhe me treqind.

Sidoqoftë, të ikësh nga vendi që i shpreh dashurinë në data festive e në ngjarje sportive përbën akt tradhtie. Sepse, atdheu ekziston edhe në realitet – përtej ngjarjeve sportive, përtej aktualitetit politik e ekonomik, përtej krenarive historike – në të bëmat dhe zgjedhjet e përditshme të qytetarëve të saj. Është akt tradhtie sepse ndahet fati individual nga fati i atdheut.

Kjo ikje masive e ka sforcuar tepër shumë rezistencën dhe luftën e brendshme politike. E ka paralizuar pakënaqësinë qytetare, potenca e së cilës do të mund të ndillte zhvillim e prosperitet. Dhe natyrisht, llogaridhënie. E ka paralizuar edhe ndërmarrësinë ekonomike. E ka mpirë shpirtin kolektiv që kënaqet së konsumuari siguri dhe hapësirë publike për t’iu turrur kafeve për të gjuajtur bërllok. Që kënaqet së silluri “poshtë e përpjetë” pa pasur ndonjë qëllim. Po nga statistikat e ASK-së, del se remitencat e diasporës shkojnë kryekëput në konsum, dhe jo në investime. E pra, pakënaqësia qytetare me shtetin është fare sipërfaqësore, ende e paargumentuar dhe belbëzuese që masivisht e pasivisht shprehet me tri fjalë bajate: “Papunësi, hajni, korrupsion.” Protestat serioze vazhdojnë të kenë karakter krejtësisht nacionalist.

Ikja nga vendi nuk duhet parë tepër ngushtësisht. Ajo është ikje nga përgjegjësia për të bërë diçka për komunitetin. Ikje nga përgjegjësia për t’i vënë themelet e një shoqërie të drejtë e progresive. Njësoj si korrupsioni. Edhe të korruptuarit mund t’i cilësojmë si ‘ikës’. Dhe po njësoj, siç bëri Frommi, ata që marrin rrugë drejt idesh ekstreme fetare apo edhe inkoherente politike, si dhe ata që nuk bëjnë punën për të cilën paguhen.

Besohet me të madhe që nëse liberalizohen vizat, Kosovën do ta lëshojnë edhe dhjetëra mijëra vetë tjerë. Ndoshta edhe qindra mijëra. Nëse në vendet e BE-së kërkohet fuqi e lirë punëtore, mund të ikin edhe një milion.

Epo, ikja nga vendi nuk është akt heroik ose diçka për të cilën mund të krenohesh. Parë nga pikëshikimi individualist, veprimi nuk ka kurrfarë domethënieje. Por, brenda pikëshikimit atdhedashës, ai merr kuptimin e një veprimi të turpshëm.

Shpërndaje në: