INTERVISTË/ Visar Ymeri: Kurti pranoi një nivel autonomie për serbët në Kosovë

INTERVISTË/ Visar Ymeri: Kurti pranoi një nivel autonomie për serbët në Kosovë

“Ka një spin të qëllimshëm që po i bën LVV marrëveshjes së mbrëmshme”, thotë Visar Ymeri në një intervistë për Periskopin dhe vazhdon tutje kështu:

“Pra po synojnë ta mbulojnë faktin që një nivel i autonomisë për serbët në Kosovë është pranuar nga Kurti me miratimin në parim të Planit evropian, duke përdorë formalizma e teknikalitete sipërfaqësore sikur mungesa e fjalës Asociacion në teksti e dakorduar. Thua ti emërtimi Asociacion paska qenë thelbi i problemit”.

Në intervistën më poshtë, lexoni përgjigjet e z.Ymeri për Periskopin, në disa pyetje rreth takimit të mbrëmshëm Kurti – Vuçiq në Bruksel dhe pajtimit që të ecet tutje me planin evropian.

-Intervista e plotë – 

PERISKOPI: Pas takimit të mbrëmshëm Kurti – Vuçiq, në një pjesë të opinionit kosovar, u krijua përshtypja sikur Kurti ‘nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën’. Me një fjalë: takimi i mbrëmshëm u pa si fitore për Kosovën. A është ky një keqkuptim apo një keqinterpretim (ose të dyja)?

VISAR YMERI: Ka një spin të qëllimshëm që po i bën LVV marrëveshjes së mbrëmshme. Pra po synojnë ta mbulojnë faktin që një nivel i autonomisë për serbët në Kosovë është pranuar nga Kurti me miratimin në parim të Planit evropian, duke përdorë formalizma e teknikalitete sipërfaqësore sikur mungesa e fjalës Asociacion në teksti e dakorduar. Thua ti emërtimi Asociacion paska qenë thelbi i problemit. Marrëveshja e mbrëmshe përmbanë kompromisin që e ka pranuar Kurti në këmbim të avantazheve që kjo marrëveshje krijon për Kosovën. Në këtë drejtim nuk mund të thuhet se Kosova nuk fiton asgjë. Afirmimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës avansohet përmes kësaj marrëveshjeje. Por problemi me këtë është që megjithatë marrëveshja në këtë pikë është e përgjithësuar dhe në nivel zotimesh nga palët e treta (vendet partnere të Kosovës që e sponzorizojnë dialogun por nuk janë palë në të). Ndërkohë që kompromisi që do ta bëjë Kosova ka edhe formë të caktuar konkrete edhe afat të caktuar zbatimi.

PERISKOPI: Cilat janë pjesët problematike nga plani evropian? Nga vlerësimet e deritashme, përmendet autonomia për komunitetin serb, statusi i Kishës Ortodokse Serbe? Çka mund të na thoni më shumë për këto, duke iu referuar planit/marrëveshjes por edhe për pjesë të tjera të tij?

VISAR YMERI: Pika 7 është ajo që zgjon më së shumti kurreshtje e shtron pyetje. Pra cili do të jetë niveli i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe çka nënkupton formalizim i statusit të Kishës Ortodokse Serbe. Pjesë po ashtu problematike, edhe pse mbase simbolike, është Preambula e veçanërisht pjesa që mirëkupton qëndrimin e ndryshëm të palëve për sa i përket çështjeve siç është statusi. Kjo pikë ka qenë dashtë të refuzohet nga Kurti. Heqja e saj nuk do ta ndryshonte fare përmbajtjen e Marrëveshjes, mirëpo në anë tjetër nuk do ta detyronte Kosovën që të shpreh mirëkuptim në të shkruar për mosnjohjen nga Serbia. Po ashtu mendoj që Kurti do të duhej dhe duhet të insistojë në marrëveshje që ka njohjen reciproke si pjesë përbërëse të saj.

PERISKOPI: Që prej kur themelimi i Asociacionit, Kosovës iu bë ‘kërkesë urgjente’ nga bashkësia ndërkombëtare, kryeministri Kurti ka nënkuptuar se s’mund të bëhet urgjentisht, duke iu referuar hierarkisë së marrëveshjeve. A mendoni se fakti që mbrëmë në Bruksel nuk pati nënshkrim në marrëveshje, ishte ky? Pra, që Serbia kërkon këtë ‘përmbysje hierarkike’ të marrëveshjeve – për ta pasë Asociacionin të parin, ndërkaq Kurti nuk pranon.

VISAR YMERI: E qartë që mospajtimi mbrëmë vjen nga dallimet që palët kanë në raport me kohën kur duhet folur dhe zbatuar Asociacioni dhe përgjegjësit që Kosova merr nga Marrëveshja. Mirëpo BE si ndërmjetësues kanë paraparë që këto gjëra të ndodhin brenda një plani sekuencimi dhe dialogu paralel. Në vend se “njëherë Asociacioni e pastaj Plani evropian” që po e kërkon Vuçiqi dhe në aën tjetër “njëherë Plani evropian e pastaj Asociacioni” që po e kërkon Kurti, BE ka propozuar që të dyja të diskutohet në të njëjtën kohë dhe secila te faza gërshetuara zbatimi.

PERISKOPI: A ka përfitime nga ky plan dhe cilat janë ato?

Sipas meje përfitimet për Kosovën janë të natyrës së anëtarësimit nëpër struktura e organizata ndërkombëtare. Edhe pse marrëveshja drejtpërsëdrejti nuk e garanton këtë, përmes Marrëveshjes Kosova fiton një impetus të ri të përkrahjes ndërkombëtare për anëtarësim. Ky nuk është përfitim i vogël. Mbetet e paqartë nëse kjo marrëveshje do t’i hap rrugës ndryshimit të qasjes që kanë vendet eBE-së mosnjohëse ndaj Kosovës. P.sh a do ta mundësojë kjo marrëveshje njohjen nga këto 5 vende, ose nga disa prej tyre? Kjo mbetet pikëpyetje meqë këtë gjë formalisht nuk mund ta mbulojë marrëveshja e ndërkohë ne nuk e dijmë se a ka avansuar dhe deri në çmasë ka avansuar lobimi te këto vende për njohje. Në këtë drejtim po ashtu pyetja që mbetet e rëndësishme po pa përgjigje është: si kontribuon kjo marrëveshje në rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së.

VISAR YMERI: Si i vlerësoni konstatimet se me planin evropian, dialogu zgjatet edhe për 10 vite?

Plani parasheh vazhdim të dialogut. Çështja është se çfarë dialogu. Pra ka shumë fusha në të cilat Kosova dhe Serbia duhet dhe do të bashkëpunojnë dhe kjo është çështje e marrëveshjeve. Mirëpo këto marrëveshje duhet të jenë rajonale e jo domosdoshmërisht bilaterale kështu që dialogu e dialogimi do të jenë prezent por me karakter tjetër Shtetet, e veçanërisht shtetet fqinje, janë në gjendje të përhershme dialogimi. Por ky dialog sikur ai që filloi në Bruksel më 2011 e që po pritet të përfundoj këtë vit nuk do të duhej të vazhdonte më. Njohja e Kosovës nga Serbia duket se është lënë për kohën kur Serbia i afrohet anëtarësimit në BE. Kosova duhet të insistojë që kjo fazë e dialogut dhe marrëveshja që arrihet të jetë përfundimtarja. Njohja le të vie si obligim që Serbia ka karshi politikave të BE-se e jo si dialog i ri me koncesione të reja nga Kosova.

PERISKOPI: Çka pritet nga takimi i ardhshëm Kurti – Vuçiq, që u paralajmërua për në mes të muajit mars?

VISAR YMERI: Sipas deklarimeve të z. Borrell mbrëmë në takimin e radhës pritet finalizim i kalndarit të zbatimit të marrëveshjes i cili është pjesë integrale e marrëveshjes Arsyeja e mosnënshkrimit mbrëmë duket të ketë qenë mospajtim me kalendarin e zbatimit, dhe kjo pritet të finalizohet më 18 mars./Intervistoi: Dafina Demaku/Periskopi/ 

 

Shpërndaje në: