Izraeli shpall gjendjen e emergjencës në Lod, ndërsa dhuna rritet

Periskopi.com Lajme

Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin qendror të Lod pas trazirave nga arabët izraelitë, ndërsa konflikti midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë u intensifikua.

12 njerëz u raportuan të plagosur në përleshjet që kryetari i bashkisë së Lod i krahasoi me një luftë civile.

Militantët palestinezë lëshuan qindra raketa në Izrael, ndërsa Izraeli kreu sulme të mëdha ajrore në Gaza.

Mbi 40 njerëz kanë vdekur në dhunën më të rëndë në vite.

Militantët palestinezë thanë se ata qëlluan me qindra raketa në drejtim të qytetit izraelit të Tel Aviv pasi një sulm ajror izraelit shkatërroi të martën një bllok kullash në Rripin e Gazës.

Ushtria e Izraelit thotë se po synon militantët në Gaza në përgjigje të sulmeve me raketa në Jerusalem dhe zona të tjera.

Luftimet erdhën pas disa javësh tensionesh në rritje që u nxitën nga konfrontimet e dhunshme midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në Jerusalem, në vendin që është i shenjtë si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë.

Komuniteti ndërkombëtar u ka kërkuar të dy palëve t’i japin fund përshkallëzimit. I dërguari i paqes i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se dhuna po “përshkallëzon drejt një lufte të plotë”.

Të paktën 35 palestinezë, përfshirë 10 fëmijë dhe pesë izraelitë janë vrarë në dhunën e deritanishme, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.

Shpërndaje në: