Ja sa këngë ka kënduar deri sot Sabri Fejzullahu

Ja sa këngë ka kënduar deri sot Sabri Fejzullahu

Këngëtari i mirënjohur nga Kosova, Sabri Fejzullahu, gjatë një interviste ekskluzive për emisionin “Oktapod”, ka ndarë shumë kujtime të jetës së tij, që nga kontakti i parë me Shqipërinë, para viteve ’70, si aktor i dramës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë, e deri në koncertet e ditëve të sotme.

71-vjeçari është shprehur se, “në 50 vite karrierë, nuk kam pushuar një ditë dhe kam kënduar 998 këngë që janë të gjitha të miat”.

Sabri Fejzullahu nuk e konsideron si limit atë shifër, pasi njoftoi se në muajin qershor të këtij viti, do të lancojë një tjetër album me 8 këngë të reja. Këngëtari i dëshiruar i publikut, ka dhënë edhe një deklaratë të fortë për babanë e tij, duke e akuzuar për dhunën që ushtronte ndaj nënës.

“Ai ishte i vrazhdë dhe godiste nënën, e këtë gjë nuk ia kam falë dhe nuk do ia fal kurrë”, ka rrëfyer Fejzullahu. Gjatë rikthimit emocional që ka bërë ndër vite, këngëtari nga Kosova tha me krenari se audienca e tij, i përket moshës nga 16 deri në 30 vjeç, fakt ky që edhe argumenton suksesin aktual të tij.

Këngëtari u shpreh edhe për mbylljen totale që autoritetet serbe i bënë kulturës kosovare në fillim të viteve ’90 dhe vështirësitë për të mbajtur gjallë traditën artistike. Fejzullahu rrëfeu se është zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës si deputet në parlamentin e parë, duke sqaruar se nuk e ka ndjerë veten mirë në politikë, ndaj edhe ka preferuar tërheqjen prej saj.

Sipas tij, nëse Zoti nuk do t’i kishte falur zërin, ai do të ishte bërë mjek shumë i mirë, pasi e ka patur pasion këtë profil. I ngacmuar nga moderatori Hyskaj për “historinë” e mustaqeve të pahqeura kurrë, Fejzullahu tregoi për herë të parë se i ka mbajtur për shkak të aktori Omar Sharif, i famshëm në vitet ’60-70, veçanërisht në filmin “Doktor Zhivago”, shkruan shekulli. Në pozicionin e gjyshit të 10 nipërve dhe mbesave, Sabri Fejzullahu tha i emocionuar se ndihet si maja e mjaltit në mes të pasardhësve të tij.

 

 

Shpërndaje në: