“Kasino politike e Kurtit dhe formula që po e shkatërron LVV-në”

“Kasino politike e Kurtit dhe formula që po e shkatërron LVV-në”

Analisti, Shenoll Muharremi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje po kalon një fazë të qartë rënieje pas kulmit të saj elektoral në vitin 2021, kur kishte arritur mbi 50 për qind të votave.

Ai ka theksuar se pavarësisht mbështetjes së madhe në zgjedhjet e fundit me 42.3 për qind të votave, Albin Kurti nuk ka arritur të formojë shumicën qeverisëse, çka tregon, sipas tij, se formula politike e ndërtuar mbi logjikën “ose krejt ose asgjë” po dështon. Muharremi e krahason këtë qasje me një “kazino politike”, ku humbjet përsëriten për shkak të mungesës së reflektimit dhe kalkulimit politik.

Sipas tij, trendet aktuale tregojnë se përkrahja e LVV-së në nivel nacional është duke u balancuar në mes të 30 dhe 35 për qind, ndërsa në nivel lokal shkon deri në 25 për qind. Ai thekson se partia e Kurtit nuk ka gjasa të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e ardhshme, pasi as partitë e tjera të mëdha nuk e shohin si partner të besueshëm. “LVV duhet të ndalet, të reflektojë dhe të reformohet nëse dëshiron të rikthehet në rritje,” ka përfunduar Muharremi.

Njoftimi i plotë:

Kasino politike e Kurtit dhe formula që po e shkatërron LVV-në
Kur nuk mundesh me formu shumicën dhe qeverinë me gjithë ato 400,000 vota e 42.3%, si mendon që mundesh me fitu në zgjedhje tjera, kur trendi yt i konfirmuar në nivel nacional është në rënie?
Ky është një problem i madh në kuptueshmërinë e Kurtit dhe LVV-së, sepse kjo parti është në trend të rënies në nivel nacional. Ka qenë 50.2% (kulmi në vitin 2021), prej nga ka fillu korrigjimi dhe tkurrja. Në zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë 42.3%, ndërsa vetëm disa muaj më vonë ka rënë në matje në 40%, e pastaj 37%.
Në zgjedhjet lokale ka fituar rreth 28% për kryetarë dhe 21.31% për Kuvende Komunale. Përkrahja mesatare e LVV-së në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka qenë rreth 25%.
LVV sot është në një proces të balancimit ku po e kërkon stabilitetin dhe nivelin e saj real, që gjendet diku ndërmjet përkrahjes në nivel nacional (rreth 35%) dhe asaj lokale (rreth 25%). Në nivel nacional është në korrigjim dhe rënie e në nivel lokal po konsolidohet.
Por edhe nëse supozojmë që e ruan nivelin aktual të matjes së fundit në nivel nacional, përsëri LVV është larg, tepër larg, për me fitu shumicën apo 51%. Kjo është e pamundur sipas trendeve dhe shumicës së indikatorëve racional dhe të besueshëm.
Kjo tregon një situatë sikur në kazino kur ti, për shkak të moskujdesit dhe moskalkulimit të rrezikut, po humb gjithçka që ke fituar (si ndodhi me 400,000 votat e 9 shkurtit), por përsëri po shpreson se do të fitosh. Ti ke hyrë tashmë në tunel ku nuk duket se nuk ka kthim mbrapa.
Nga kjo analogji kuptohet që pritjet apo teoria që LVV me fitu shumicën në zgjedhjet e ardhshme janë krejtësisht joreale dhe të ndërtuara në kornizën e lakmisë (për pushtet absolut), ngjashëm si në fushatën e 9 shkurtit.
Pra, aktualisht, përmes përkrahjes në zgjedhje nuk ka asnjë rrugë ku Kurti dhe LVV mundet me formu shumicën. Ai mundet me formu vetëm me partneritete dhe atë me partitë e mëdha të cilat nuk e dojnë si partner se nuk i besojnë më.
Pra, problemi i tij nuk janë zgjedhjet dhe numrat, sepse i pati ato 42.3%, por mentaliteti politik ku kërkon gabimisht “ose krejt ose asgjë” dhe nuk pranon asgjë pos kontrollit dhe pushtetit absolut për vete. Albin Kurti dhe LVV nuk e kupton dhe pranon demokracinë parlamentare si dicka që duhet me nda pushtetin me tjerët dhe se pa i pasur 51% apo shumicën parlamentare, ske asgjë edhe pse je fitues kredibil me numra.
Prandaj, LVV nuk ka gjasa me fitu 51%, por me siguri do të vazhdojë rrugëtimin e saj të korrigjimit dhe tkurrjes. Ky trend në nivel nacional, me gjasë, do të vazhdojë drejt nivelit 30%-35%, e pastaj në rajonin 20%-25%, derisa LVV të ndalet, të reflektojë, të reformohet dhe të mendojë për të ardhmen e saj.

Shpërndaje në: