Këshilltari i Thaçit: LDK do të duhej të ishte në dialog po ta respektonte traditën e Rugovës

Këshilltari i Thaçit: LDK do të duhej të ishte në dialog po ta respektonte traditën e Rugovës

Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, Blerim Shala ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës si partia më e madhe opozitare do të duhej të përfshihej në dialog – raporton Periskopi.

Në Rubikon të KTV’së, ai ka thënë se sikur LDK e Vetëvendosje të sillnin në Kuvend një Platformë për Dialogun, ajo do të kishte përmbajtjen e njëjtë me këtë aktualen të votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kundërshtimet mes partive politike për çështjen e Platformës së Dialogut, ai i ka quajtur garë të brendshme politike.

“Mendoj se edhe LDK dhe VV po ta sillnin një Platformë në Kuvend, do të ishte pak a shumë një përmbajtje të njëjtë. Por këto kundërshtimet pak a shumë janë një garë e brendshme politike. Te LDK kemi pas pozicione që janë përfshirë edhe me zhvillimet e brendshme të kësaj partie. Një herë kanë kërkuar zgjedhje e pastaj marrëveshje, e pastaj marrëveshje mund të ketë para zgjedhjeve kanë thënë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, marrëveshja finale e dialogut me Serbinë nuk mund të votohet pa LDK’në.

Andaj, thotë së LDK’ja do të ishte brenda procesit të dialogut, nëse do ta ndiqte traditën e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

“Marrëveshja mund të arrihet pa hyrë LDK dhe VV në dialog, por s’mund të votohet marrëveshja pa LDK’në. Duke e ditur një traditë që e ka instaluar presidenti Rugova, LDK do të duhej të ishte brenda procesit. Po ashtu edhe Vetëvendosje, do të ishte e natyrshme që të jenë në proces, sepse njihen si oponentët më të mëdhenj”, ka thënë Shala tutje./PERISKOPI

Shpërndaje në: