Kina shtrin interesat e saj gjeopolitike në Siri
Kina planifikon të investojë gati 2 miliardë dollarë në parkun industrial të Sirisë; përderisa disa vëzhgues besojnë se nuk është koha të mendohet për projekte madhore të tilla, të tjerë thonë se Kina ka dërguar një sinjal të fortë për interesat e saj gjeopolitike.
Kina është duke synuar të investojë 2 miliardë dollarë në krijimin e një parku industrial në Siri që fillimisht do të sjellë 150 kompani kineze, siç njoftoi të dielën Qin Yong, zëvendëskryetari i Shoqatës së Shkëmbimit Kinezo-Arabe, gjatë panairit të parë të projekteve të rindërtimit në Pekin.
Ishte raportuar se Kina është duke planifikuar të marrë me qera avionë dhe anije siriane për aktivitetet e saj të ardhshme ekonomike. Kompanitë kineze do të pajisen me mbështetjen e nevojshme ligjore në sferën e investimeve, ndërtimit dhe operacioneve bankare nga një komision i posaçëm për çështje ligjore dhe investime në restaurimin e Sirisë.
Megjithatë, një hulumtues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore të Kinës, Chen Fengying, beson se se qëllimi kryesor është që të ndalet lufta në Siri.
“Për Sirinë, çështja më e rëndësishme është të ndalet lufta dhe zgjidhja e problemit të kundërshtarëve të armatosur, dhe vetëm pas kësaj të flitet për rikthimin e infrastrukturës”, tha Chen për “Sputnik China”, transmeton Periskopi.
Për këto investime Azhdar Kurtov nga Instituti Rus për Studime Strategjike (RISS) tha: “Sa i përket investimeve në sferat e rendimentit të lartë të industrisë, bujqësisë dhe transportit të Sirisë, ofrimi i një mundësie të tillë nga Qeveria Siriane do të varet nga fakti, nëse Kina ose ndonjë vend tjetër do të marrë pjesë në fazën e parë (të projekteve të rindërtimit) në krijimin e kushteve të përshtatshme për popullsinë. Me siguri, Qeveria Siriane do t’u japë përparësi atyre të cilët do të angazhohen më shumë në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar”
Nga ana e tij, Vladimir Evseev, kreu i Departamentit të Integrimit dhe Zhvillimit Euroaziatik të Organizatës “Shanghai Cooperation”, beson se gatishmëria e Kinës për të investuar në Siri do të thotë se fundi i konfliktit nuk është shumë larg.
“Ndoshta po flasim për disa ‘korridore të ndikimit ekonomik’. Kina ka marrë një vendim kryesor për të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës në Siri, si politikisht po ashtu edhe ekonomikisht. Kjo mund të shoqërohet me një përfshirje të kufizuar në sferën ushtarake për të testuar armët e saj” u shpreh Evseev.
Kina zyrtarisht u përfshi në Siri vitin e kaluar duke emëruar përfaqësuesin e saj special atje. Për më tepër, Pekini bashkon përpjekjet e tij diplomatike me ndihmën humanitare ndaj sirianëve.
Siria qëndron lart në axhendën e Pekinit. Kjo edhe për faktin se më 18 janar 2017, Presidenti kinez Xi Jinping për herë të parë theksoi kontributin e Kinës për zgjidhjen e çështjes siriane./Periskopi/



