KMDLNJ: Dehari dyshohet të ketë ndërruar jetë gjatë kohës së shetisë

KMDLNJ: Dehari dyshohet të ketë ndërruar jetë gjatë kohës së shetisë

KMLDNJ ka thënë se dyshohet se vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka ndodhur gjatë kohës së shëtisë së zakonshme, ku Dehari s’kishte dalë fare.

Kërkesa për takim, sipas KMDLNJ-së, është bërë në 18:50, ndërsa thotë se takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit, Destan Zogaj, është zhvilluar rreth orës 20:10.

“KMDLNJ është njoftuar me versionin zyrtar, lëshuar nga Shërbimi Korrektues se me dt. 05.11.2016 (pa u saktësuar ora) në rrethana të pasqaruara, i paraburgosuri A.D. ndërroi jetë në Spitalin e Prizrenit. KMDLNJ, nga burime të saja merr vesh se dyshohet se akti ka ndodhur në kohën e shëtisë së rëndomtë (pasdite), kur tashmë i ndjeri A.D. nuk ka dalë në shëtitje. Kjo informatë nuk konfirmohet nga zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit”, thuhet në njoftimin për media të KMDLNJ-së në Prizren.

Meqenëse rastin e vdekjes e ka cilësuar si të dyshimtë edhe Prokuroria e shtetit, KMDLNJ kërkon hetim të shpejtë, të gjithanshëm dhe profesional për ndriçimin e rastit dhe po ashtu kërkon që rasti të mos prejudikohet.

“Poashtu, KMDLNJ kërkon që përgjegjësit e rastit të sillen para drejtësisë dhe kërkon ngritjen e nivelit të sigurisë në Qendrat e Paraburgimit dhe burgjet e Kosovës”, thuhet në këtë njoftim, ndërsa në fund KMDLNJ i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.

Shpërndaje në: