Komandant ‘Tigri’ i Vetëvendosjes me X6 bllokon rrugën për 45 minuta (Video)

Periskopi.com Lajme

Ajvaz Berisha, i njohur me nofkën e luftës si komandant “Tigri”, mbrëmë e ka bllokuar rrugën për  parkingun në Qendrën Studentore me veturën e tij BMW X6.

Makina është parkuar aty rreth orës 19:25 minuta dhe ka qëndruar deri në orën 20:11 minuta.Arsyetimi i ish-komandantit të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK për parkimin e veturës në atë mënyrë ishte se nuk e ka ditur që aty ishte hyrja e parkingut.

“Jam anëtar i bordit të Qendrës së Studentëve dhe nuk e kam ditur që ajo ishte rruga e hyrjes për në parkingun e Mensës”.Berisha nuk ishte i vetmi që e kishte bllokuar rrugën, njëjtë kishte vepruar edhe Ekrem Rudari, menaxher i sallës 1 tetori që ishte bashkë me të.

KALLXO.com ka filmuar dhe fotografuar gjatë tërë kohës makinën e parkuar dhe reagimin e Berishës dhe punonjësit të qendrës së studentëve kur pyeten për bllokimin e rrugës.

Filmimi i parë paraqet veturat e parkuara në orën 19 e 26 minuta.

Filmimi i dytë paraqet momentin kur në veturë është duke lëvizur Ajvaz Berisha dhe diskutimi i gazetarit me punonjësin e Qendrës së Studentëve.

Rasti i bllokadës është raportuar edhe në polici një njësi e policëve ka marrë të dhënat për të shqiptuar tiketën e trafikut për parking ilegal për Berishën.

Ajvaz Berisha është anëtar i lëvizjes Vetëvendosje që nga shtatori i vitit 2018.Ai ka qenë komandanti i Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, Dekan i Fakultetit të Edukimit si dhe konsull i përgjithshëm në Gjermani.Lëvizja Vetëvendosje me anë të një postimi në Facebook, e kishte cilësuar energji dhe vlerë të re aderimin e komandant “Tigri-t”.

“Është bashkuar në VETËVENDOSJE!, ish-komandanti i Njësisë Speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Ajvaz Berisha. Ai ka qenë dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik si dhe konsul i përgjithshëm në Gjermani. Gatishmëria e tij për të dhënë kontribut në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për të ndihmuar në punët që na presin janë vlerë e shtuar dhe energji e re për Lëvizje”, thuhet në njoftim.

Berisha u bë i njohur për media në kohën kur e kishte larguar nga puna Shoferin e Mbikualifikuar, Miftar Dragidellën.

Në arsyetimin e vendimit të tij për largimin e Dragidellës nga puna, konsulli Berisha ka shkruar se kualifikimi prej gazetari e shkrimtari nuk përkon me punën e tij si shofer.

Shpërndaje në: