Komuna e Prishtinës hap rast në polici për asamblistin e Vetëvendosjes
Komuna e Prishtinës përmes një komunikate ka bërë të ditur se zyrtarja nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Irfete Zejneli, është kërcënuar sot nga një grup i udhëhequr nga asamblisti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani.
Sipas Komunës, ky i fundit dje ka dërguar kërkesë për takim në e-mail të drejtorisë, ku ka kërkuar takim lidhur për rregullimin e rrugës “Elena Gjika” në Kodrën e Trimave. Kurse Irfete Zejneli nga kjo Drejtori i është përgjigjur në e-mail duke i shprehur mirëseardhje banorëve të kësaj rruge dhe njëkohësisht duke ia sqaruar rastin.
Ndërkaq sot, sipas Komunës, asamblisti i VV-së, Eman Rrahmani ka shkuar në zyrën e drejtoreshës me një grup prej 30 personash duke ia bllokuar zyrën.
“Sot, në zyrë të Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Eman Rrahmani ka ardhur me një grup prej afro 30 vetash, duke e bllokuar në zyrë zyrtaren komunale, si dhe duke e terrorizuar e kërcënuar atë. Madje, disa prej shoqëruesve të tij kanë hipur mbi tavolina të zyrës, dhe e kanë ofenduar zyrtaren komunale në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
“Në incizimin e publikuar nëpër media, shihet Eman Rrahmani me disa prej shoqëruesve të tij, ku njëri nga ta, i mbështetur me karrige për muri, ia pamundëson daljen nga zyra zyrtares në fjalë, duke ia mbyllur shtegun e vetëm të ecjes”, thuhet më tej aty.
Komuna ka bërë të ditur se kanë kapur rast në polici.
“Komuna e Prishtinës ka hapur rast në Policinë e Kosovës, dhe ka kërkuar nga ta që t’i ndërmarrin të gjitha masat e duhura dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kërcënuesit. Bashkë me Sigurimin e Komunës dhe Policinë e Kosovës, do të mundësojmë zhvillim normal të punës brenda zyrave komunale, dhe nuk do të lejojmë përsëritjen e rasteve të tilla”, përfundon njoftimi.
Për më tepër, edhe asamblisti Eman Rrahmani ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, duke e akuzuar Shpend Ahmetin ua kishte ndaluar hyrjen në kabinetin e tij.
“Sot Shpend Ahmeti vendosi të ma ndaloj hyrjen në Kabineti e tij, duke vendosur sigurimin para hyrjes. Qëllimi ishte të takoj nënkryetarin Selim Pacollin e jo Kryetarin. Përveç që është qesharak ky veprim i tij është edhe i turpshëm në çfarë gjendje ka ardhë”, ka shkruar Rrahmani në Facebook.



