Korrespodentja në Bruksel: Takimi Kurti- Vuçiq për t’i ulur tensionet

Korrespodentja në Bruksel: Takimi Kurti- Vuçiq për t’i ulur tensionet

Korrespodentja e RTK-së në Bruksel ka treguar se emisari i BE-së synon që nga shtatori takimet e nivelit të lartë t’i ftojë çdo muaj.

Tensionet e muajit të shkuar në veri të vendit kanë përshpejtuar takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut mes shteteve në Bruksel.

Kthimi në tryezën dialoguese mes krerëve të shtetit nga Kosova e Serbia po bëhet pas më shumë se një viti bllokade të takimeve të këtij niveli, prandaj e dërguara e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina thotë se ky takim më shumë do të shërbejë për uljen e tensioneve të krijuara kohën e fundit, e nuk pritet të ketë pika të caktuara në agjendë.

Por, pas kësaj pritet që takimet e Kurtit me Vuçiqin të ndodhin çdo muaj në Bruksel, kjo nëse realizohet plani që ka ndërmjetësuesi i BE-së në këtë proces, Miroslav Lajçak.

“Siç merret vesh, Lajçak mëton që nga shtatori e tutje t’i takojë rregullisht, së paku njëherë në muaj liderët këtu në Bruksel, jo për të diskutuar pika të caktuara, por për të diskutuar atë që quhet gjendje globale, më shumë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe legalisht obliguese që në një moment duhet ta arrijnë Kosova dhe Serbia”, ka thënë Tuhina për RTK-në.

Tuhina, që gjithmonë është afër proceseve që ndodhin në kryeqendrën evropiane, thotë se takimi i së enjtes nuk mund të përfundojë me ndonjë rezultat konkret, por, sipas saj, për BE-në do të ishte sukses nëse nuk do të dominonin tensionet mes palëve.

Tuhina ka treguar se kryeministri kosovar, gjatë mbrëmjes, pritet të zhvillojë takime me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takime, të cilat, më herët i kishte realizuar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Korrespodentja e RTK-së, që ndoqi nga afër edhe konferencën e shefit të NATO-s me kryeministrin Kurti, tha se aty shefi qeveritar e konfirmoi se Kosova nuk do të tërhiqet nga vendimi për implementimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë.

Shpërndaje në: