Kosova në rrezik: Nëse nuk pranohet Reciprociteti, të gjitha shtetet aleate de fakto çnjohin Kosovën

Kosova në rrezik: Nëse nuk pranohet Reciprociteti, të gjitha shtetet aleate de fakto çnjohin Kosovën

Kryeministri Albin Kurti tashmë e ka thënë hapur se do ta heqë tarifën 100 për qind [Taksa 100%] ndaj mallrave të importuara nga Serbia për ta vendosur një masë më radikale siç është ajo e Reciprocitetit.

Në deklarimet për media, zyrtarët qeveritarë kanë thënë se kjo masë ndaj Serbisë nuk do të zgjonte reagimin e faktorëve ndërkombëtarë e as atë të Serbisë. Por, tashmë koalicioni është i përçarë në lidhje me këtë “mos-reagim”.

Isa Mustafa së fundi u shpreh kundër Reciprocitetit, ndërkohë që as Vjosa Osmani nuk mohoi se ndërkombëtarët mund të kundërshtonin.

Por, çka është masa e Reciprocitetit në Marrëdhëniet Ndërkombëtare?

Në marrëdhëniet dhe traktatet ndërkombëtare, parimi i reciprocitetit është ai në të cilin të gjitha favorizimet, përfitimet apo ndëshkimet që bëhen nga një shtet ndaj shtetit apo qytetarëve të shtetit tjetër, kthehen në mënyrë të njëjtë.

Për shembull, reciprociteti është përdorur për reduktimin e tarifave, garantimin e të drejtave autoriale për autorët e huaj, njohjen reciproke, heqjen e vizave të udhëtimit e të tjera.

Disa teroicienë të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë potencuar se ka dallim mes formave specifike të reciprocitetit dhe “reciprocitetit të shpërndarë” [Keohane, 1986].

Por, Kurti ka premtuar “Reciprocitet të Plotë”. Cilat mund të jenë implikimet politike për Republikën e Kosovës?

Në fakt, një veprim i tillë është plotësisht legjitim nga qeveritë e çdo shteti të pavarur. Në rastin në fjalë, kjo do të nënkuptonte që Serbia jo që do të duhej të paguante tarifë 100% por do ta kishte krejtësisht të ndaluar të eksportonte mallra në drejtim të Republikës së Kosovës nëse një gjë të tillë nuk do ta bënte edhe Kosova.

Përveç kësaj, kjo do të mund të përfshinte çdo marrëdhënie mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë sistemin gjyqësor.

Natyrisht, një veprim i tillë pritet ta irritojë edhe më shumë Serbinë, e cila nuk pritet të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa iu lejuar që të eksportojë mallrat e saj në tregun kosovar – e që përbëjnë afërsisht 3 për qind të eksporteve të përgjithshme.

E ndërkohë, ndërkombëtarët janë para një pozicioni tepër të vështirë: pranimi i masës nga Kosova dhe ndalimin e dialogut Kosovë-Serbi ose mos-pranimin e masës nga Kosova dhe e cila do të nënkuptonte de fakto çnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Kosova është në rrezik dhe krejt çka mund të shpresojmë është që ndërkombëtarët do të pranojnë Reciprocitetin e Plotë të vendosur nga Qeveria Kurti. /Periskopi

Shpërndaje në: