Kosova nuk përmendet në Bruksel për liberalizim vizash

Kosova nuk përmendet në Bruksel për liberalizim vizash

Në Kosovë liberalizimi i vizave mbetet ndër temat kryesore, por Kosova nuk po përmendet shumë këto ditë në Bruksel gjatë diskutimeve të shumta për liberalizimin e vizave, shkruan sot Koha Ditore.

Sa i përket udhëtimit pa viza, këto ditë në Bruksel tema kryesore janë Turqia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse diçka nuk ndryshon ndërkohë, sado paradoksale që duket, BE-ja do të mund t’i heqë vizat për shtetasit e Turqisë dhe të Ukrainës dhe të vendosë regjimin e vizave për shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe një herë Kosova u la në harresë të mërkurën, kur Komisioni Evropian edhe formalisht mori vendim për propozimin legjislativ për heqjen e vizave për shtetasit e Ukrainës.

Ky vendim i Komisionit u mor katër muaj pasi Komisioni Evropian kishte konstatuar se Ukraina i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe tash me këtë, sa i përket Ukrainës, Komisioni ka mbaruar pjesën e tij të punës dhe procedura ka kaluar në duart e Këshillit dhe të Parlamentit Evropian.

Spekulimet se Kosova mund të përfitojë dhe edhe për të të jepet propozimi për liberalizimin e vizave në të njëjtën kohë me Ukrainën, tash për tash nuk dolën të sakta.

 

 

Shpërndaje në: