Krahu i djathtë i Ramës, njeriu i tre kabineteve

Krahu i djathtë i Ramës, njeriu i tre kabineteve

Kryeministri Edi Rama formoi sot qeverinë e re që do të udhëheqë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme. Bien në sy 4 ndryshime kryesore në kabinet. Në krye të Kuvendit do të jetë Lindita Nikolla. Nuk do të jenë më ministre Anila Denaj, Etilda Gjonaj dhe Blendi Klosi. Zëvendëskryeministër nuk është më Erion Braçe. Në vendin e tij për mandatin e tretë, Edi Rama zgjodhi që të ketë Arben Ahmetajn numrin dy të qeverisë. Një emër i spikatur që ka arritur që të jetë pjesë e të tre kabineteve të qeverive socialiste.

Në mandatin e parë, ai shërbeu si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përgjatë periudhës shtator 2013- shkurt 2016. Nga shkurti i 2016 deri në janar të 2019, Ahmetajt iu besua një tjetër post me shumë rëndësi në qeveri, çelësat e financave të vendit.

Nga Dhjetori 2019 dhe në vazhdim Arben Ahmetaj mori një tjetër përgjegjësi duke drejtuar Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin, pas një viti në drejtimin e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Puna e bërë në procesin e rindërtimit, bëri që kryeministri Edi Rama ka vendoste në krahun e djathtë.

Gjithashtu Arben Ahmetaj do të jetë drejtues politik edhe i qarkut të Vlorës duke zëvendësuar Damian Gjiknurin.

Por cila është karriera e Ahmetajt në PS-së përpara se të emërohej në poste ekzekutive?

Arben Ahmetaj ka lindur në 28 Qershor 1969 në qytetin e Gjirokastrës. Mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjetike, diplomuar në vitin 2009 në Universitetin e Bukureshtit, Rumani. Më herët u diplomua në degën Financë Ndërkombëtare, Tregjet Financiare Ndërkombëtare, pranë Edmund A. Walsh School of Foreign Service, në Georgetown University, Washington, D.C Ai ka kryer studimet Master në degën Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, në Patterson School of International Trade and Diplomacy, University of Kentucky, Lexington. Në vitin 1991 përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në degën Gjuhë Angleze, Literaturë Amerikane dhe Angleze.

Ahmetaj ka një sërë kualifikimesh profesionale dhe internshipe në një sërë fushash si “Politikat e Zhvillimit”, akorduar nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; “Ekonomiksi i Teknologjisë”, Programi Kokkalis në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; Programet e Financimit të Fermerëve, Farmers Credit Union of Texas, Texas University, Austin, Texas etj. Ai ka një karrierë të gjatë në administratën publike në disa pozicione të rëndësishme, ndërsa angazhimi i tij politik zë fill me Lëvizjen Studentore të vitit 1990.

Në vitet 2004- 2005 mbajti postin e Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Integrimit Europian, ndërsa në periudhën 2003-2004 atë të Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Ahmetaj ishte Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në vitin 1998-1999 ndërsa më herët shërbeu si Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për marrëdhëniet Ndërkombëtare, anëtar i grupit të koordinimit të negociatave me Fondin Monetar dhe për konkretizimin e marrëveshjes post konfliktuale me ESAF. Në 2009 u zgjodh deputet në Korçë, në vitin 2013 në qarkun e Gjirokastrës, në zgjedhjet e qershorit 2017 u zgjodh deputet i Qarkut Tiranë, duke përfaqësuar Bashkitë Rrogozhinë dhe Kavajë dhe në 25 prill po në Tiranë.

Shpërndaje në: