Krasniqi: Institucionet tona të angazhohen për ta hequr imazhin e rëndë që ka lënë raporti i Martyt mbi UÇK’në

Periskopi.com Lajme

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur mirënjohës ndaj shtetit shqiptar për dorëzimit në Këshillin e Evropës të rezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë muajin e kaluar.

Krasniqi ka thënë se ky është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.

Krasniqi u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që  të angazhohen në lobim tek miqtë  ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, për siç ka thënë ai, ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt.

“Adresimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt, është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.
Ftoj institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke trokitur në çdo derë ku është e nevojshme, sepse e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt”, shkruan ndër të tjera Krasniqi.

Postimi i plotë:

Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj shtetit shqiptar, që tashmë edhe zyrtarisht është vënë në mbrojtje të së vërtetës së luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta çliruar këtë të vërtetë nga pretendimet e fabrikuara e të pabaza kundër lirisë dhe pavarësisë sonë.

Adresimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt, është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.
Ftoj institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke trokitur në çdo derë ku është e nevojshme, sepse e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë: lirinë e popullit të Kosovës. Asgjë nuk e zhbën e s’do të mund ta zhbëjë të vërtetën e kësaj kauze dhe këtij misioni. Mirënjohës dhe tejet falënderues ndaj Kryeministrit Rama për angazhimin e tij konkret në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe të drejtën tonë.