Krasniqi për aksionin e PSD-së: Kjo dëshmon se kushdo që kundërshton Kurtin do të arrestohet

Krasniqi për aksionin e PSD-së: Kjo dëshmon se kushdo që kundërshton Kurtin do të arrestohet

Të gjithë aktivistët e PSD-së janë liruar në procedurë të rregullt pasi u arrestuan këtë të martë në aksionin që zhvilluan për të penguar fjalimin e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Frashër Krasniqi nga PSD-ja në “Info Magazine” deklaroi se qëllimi i aksionit ishte që të mos kalojë në heshtje reklamimi që Trendafilova po i bënte Gjykatës Speciale teksa drejtoi një sërë akuzash drejt Qeverisë.

“Protesta ka qenë shumë simbolike ku ka pasur vetëm fishkëllima dhe një kerr është ngjyrosur me sprej, nuk ka pasur nevojë për tërë atë dhunë që u ushtrua”.

Krasniqi mes tjerash deklaroi se kushdo që bën veprime që nuk i pëlqejnë kryeministrit, Albin Kurti, do të përfundoj i arrestuar teksa për ndërprerjen e aksionit të sotëm thotë se edhe vet kryeministri tash po e mbështet themelimin e Gjykatës Speciale.

“Pak më herët janë liruar të gjithë aktivistët e PSD-së dhe sipas nesh kjo dëshmon një lloj spektakli që po e bënë Qeveria Kurti sa herë që ne kemi ndonjë aksion kështu duke dëshmuar se kushdo që proteston kundër diçka që nuk i pëlqen Kurtit do të përfundoj i zhagitur duke u arrestuar”.

“Gabimet e mëhershme nuk duhet të shërbejë që ato gabime t’i mbështesim dhe të mos i kundërshtojmë. Nëse të tjerët e kanë aprovuar kjo nuk do të thotë qe nuk duhet ta kundërshtojmë – përkundrazi edhe Kurti tash po dëshmon që e mbështet themelimin e Gjykatës Speciale”.

“Me qejf e kishim zhbë gjithë Gjykatën Speciale e cila e barazon luftën çlirimtare të UÇK-së me agresorin serb. Sot qëllimi ynë ka qenë mos me lënë të kalojë në heshtje një reklamim që ju bë kësaj gjykate nga Trendafilova por që policia nuk na e lejoi këtë”, tha Krasniqi.

Shpërndaje në: