Krejt dhe shtrenjtë: Dy zhvillimet më dramatike të javës dhe rrudhja e xhepit të popullit

Krejt dhe shtrenjtë: Dy zhvillimet më dramatike të javës dhe rrudhja e xhepit të popullit

Nga letra e Sekretarit amerikan, Antony Blinken, ndalimi i referendumit të Serbisë në Kosovë e deri te rritja e çmimit të rrymës. Si e gjeti java Kosovën?

LETRA E BLINKEN

Më 13 janar 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori një letër nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken. Të nesërmen Kurti publikoi letrën në rrjetin social Facebook, me rekomandimin që letra duhej ‘rilexuar’ dhe se ‘ishte e mirë’.

“Është përmbajtësore, e mirë dhe që vlen të rilexohet”, shkroi Kurti, përcjell Periskopi.

Letra e Blinkenit kërkon konstruktivitet në dialogun me Serbinë. Kërkon marrëveshje për energjinë në veriun e Kosovës dhe marrëveshje për të pagjeturit.

Blinken kërkon që të ‘mbështeten vendimet gjyqësore’ –në veçanti – ‘ato që kanë të bëjnë me minoritetet’, e që u interpretua si kërkesë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe çështjen e tokave të Manastirit të Deçanit.

REFERENDUMI I SERBISË

Më 14 janar, shtetet e QUINT-it, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të lejojë mbajtjen e referendumit për serbët në Kosovë (për ndryshime kushtetuese). QUINT-i zhvilloi edhe një takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca.

Treshja refuzuan QUINT-in, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, ku veç tjerash thanë se referendum i Serbisë në Kosovë cenonte sovranitetin e vendit tonë – prandaj s’mund ta lejonin.

Pas kësaj, Kurti thërret një konferencë urgjente të Kuvendit të Kosovës, ku nëpërmjet një resolute – u votua për ndalimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.

RRITJA E ÇMIMIT TË RRYMËS

Në fillim të kësaj jave, Zyrës së Rregullatorit për Energji i është aprovuar rritja e çmimit të rrymës për konsumatorët që harxhojnë mbi 600 kilovatë rrymë në muaj. Kjo do të prekë shumë ekonomi familjare. Nga tarifa, lirohen bizneset.

Në paraqitjet e tij para mediave, kryeministri Kurti fillimisht tha se ‘e kupton brengën’ e qytetarëve për këtë çështje. Më vonë në një konferencë për media, të mërkurën, tha se ‘fajin për krizën energjetikë në vend, e kanë qeveritë e kaluara’ kurse dje në Kuvendin e Kosovës tha se ‘2 milionë euro rrymë në ditë dikush duhet t’i paguajë’.

Opozita kundërshton rritjen e çmimit të rrymës, madje PDK tentoi të kalonte një rezolutë dje në Kuvendin e Kosovës kunadër kësaj, por nuk kaloi.

Janë paralajmëruar protesta nga partitë opozitare por edhe nga shoqëria civile për çmimin e rrymës. PSD ishte më konkrete me datë, duke thirrur protestë për të shtunën e ardhshme, më 29 janar.

Qytetarët shndërruar për ironi sloganin e partisë në pushtet që e kishte për zgjedhjet e 14 shkurtit nga ‘Krejt dhe Drejt’ në ‘Krejt dhe shtrenjtë’. Kujtojmë se përveç rritjes së çmimit të rrymës, në vendin tonë është rritur edhe çmimi i ujit të pijshëm, e përgjatë muajve të fundit, rritje enorme kanë pësuar edhe çmimet e artikujve ushqimorë. /Periskopi

 

 

Shpërndaje në: