Krim në dorë të shtetit: Jo veprim, por statuse skandaloze nga Kurti e bashkëpunëtorët e tij

Krim në dorë të shtetit: Jo veprim, por statuse skandaloze nga Kurti e bashkëpunëtorët e tij

Gruaja 35 vjeçare, me foshnjën e saj në bark u vra në pasditen e djeshme në oborr të QKUK’së, ky dyshohet se burri i saj, me të cilin ishte në proces të ndarjes, e ka qëlluar me tre plumba teksa qëndronte jashtë. Hamide Magashi kishte shkuar të lindte në Spitalin e Gjinekologjisë, mirëpo përpos që nuk arriti të japë  një jetë të re, ia morën edhe jetën e saj. Pas rastit tronditës, doli se viktima kishte kërkuar edhe më herët ndihmë nga organet e drejtësisë, por atë nuk e mori. Nga mbrëmë krejt çka pamë e dëgjuam janë reagimet e cilësuara si patetike të krerëve institucionalë e politikanëve të pozitës, të cilët po kritikohen e besa edhe akuzohen se nuk bënë asgjë për sigurimin e shtatzënës nëntë muajshe, e as të krejt grave – viktima të dhunës…

LEXO EDHE: https://www.periskopi.com/e-tmerrshme-motra-e-viktimes-i-kane-meshu-me-allti-ne-krye-vjehrra-e-percjellke-kur-vijke-te-na/

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi që për rastin të reagojë me disa fjalë  letrare, e përpos kësaj të përfshijë pak edhe nacionalizmin, si në frazën ‘’Dy shqiptarë më pak, do jenë duke menduar armiqtë tanë’’.

Me këtë, sikur kryeministri deshi ta bindë përqindjen e popullit dhunues si ‘hej ndaluni, sepse Vuçiqi po i gëzohet rasteve të tilla në mesin tonë’.

Nuk mjaftoi statusi i parë, dhe Kurti vendosi të publikojë edhe një të dytë sot. Kësaj radhe me qasje akuzuese ndaj shoqërisë, e justifikim të sistemit të shtetit në mbrojtjen e viktimave të dhunës.

‘’Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme’’. Kjo fjali ra fort në sy në mesin e  fjalëve tjera patetike.

Osmani për krimin ndaj shtatzënës: Asnjë vajzë e grua më shumë, është thirrje kombëtare për gjithë ne

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së gruas në oborrin e QKUK’së që dyshohet se e kreu ish-burri i viktimës.

Osmani përmes një shkrimi në Facebook tha se ky rast është një tjetër krim makabër e njerëzor.

Ajo tha se përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

Postimi i plotë:

Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor.  Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.

Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.

Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!

Haxhiu për krimin ndaj shtatzënës: Një grua që duhej të mbrohej

Ajo shkroi në Facebook mbrëmjen e së mërkurës se lufta me femicidin mund të jetë e vështirë, por nuk duhet humbur shpresat. Sipas Haxhiut, vrasja e gruas të mërkurën, lë të kuptojë se pavarësisht veprimeve, “kemi edhe shumë punë për të bërë”.

“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë. Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët. Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë. Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijën ende të palindur. Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë”, deklaroi ajo.

Urdhër-mbrojtja për shtatzënën e vrarë – Prokuroria thotë po, zv.ministrja e Drejtësisë tha s’ka pasur

Gjykata Themelore e Ferizajt ka konfirmuar se ndaj rastit në fjalë kishte lëshuar urdhër mbrojtje sipas së cilit i dyshuari nuk guxonte t`i afrohej ish-gruas së tij. Udhëri ishte valid deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Mirëpo, mbrëmë zv.ministrja e Drejtësisë, Nazlie Bala tha se në këtë rast nuk kishte pasë fare urdhër-mbrojtje.

‘’Kjo vrasje sot është e dyfishtë dhe viktimë e femicidit. Rasti në fjalë është raportu në korrik të vitit 2022 dhe sot e ndjera është dashtë të ketë mbrojtjen e institucioneve por edhe sot e kemi një rast me fatalitet si neglizhencë ose veprim mosinstitucional. Nëse rasti është raportu në polici dhe është përcjellë tek prokuroria atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet në sistemin prokurorial apo gjyqësor. Rasti s’ka pasë as urdhër mbrojtës të lëshuar dhe natyrisht se përgjegjësia bie mbi bartësit e ushtrimit të profesionit apo përgjegjësisë.’’, tha ajo.

Në muajin shtator Gjykata e Ferizajt, e kishte dënuar vetëm me gjobë Sokol Halilin për armë të zjarrit, ani pse ndaj tij ishte ngritur aktakuzë dhe kishte urdhër të prerë që të mos i afrohej ish-gruas Hamide Magashi të cilën e vrau mbrëmë para Gjinekologjisë ku pritej të lindë foshnjën

Haliti që edhe pas 16 orësh nga krimi makabër që kreu, është në arrati dhe nuk është kapur nga Policia e Kosovës.

U.d ministrja e Shëndetësisë: Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë

Ushtruesja e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, është shprehur e tronditur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborr të Gjinekologjisë.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, që siç shprehet, mezi po e shkruan, i bëri thirrje organeve relevante që të veprojnë pa kompromis, duke i shprehur ngushëllime familjarëve e të afërmve të viktimës.

“Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë. Plumba që shuan një jetë që sapo po zinte fill. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ku gruaja po priste të bëhet nënë!”, shkroi Gexha.

Mjekja po ashtu kujton se si para 17 vjetësh ishte vet e shtruar po në këtë klinikë, që të nesërmen të lindte fëmijën e saj të parë, fat që, siç thotë, kësaj gruaje sot ia morën plumbat e shkrepur nga ky burrë mizor.

“E tronditur, sa mezi po shkruaj, shpreh indinjatën më të thellë për këtë rast makabër. Qëndroj pranë e solidarizohem edhe me punonjësit shëndetësor e gratë e shtruara në këtë klinikë që ky akt makabër i ka tronditur”.

“Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam”, shprehet Gexha.

Kurti më skandaloze se Kurti për vrasjen në QKUK: Fundi i njerëzimit

Pas kryeministrit Kurti, edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka reagur me një postim patetik lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

“Kjo është gjama e madhe e kombit. Fundi i njerëzimit. Asgjë nuk mjafton. Madje edhe drejtësia është disa jetë vonë. Nuk ka ngushëllim. Pos luftës. Së detyruar”, ka shkruar deputetja Kurti.

Në anën tjetë kryeministri Kurti e ka e përzier pak edhe me nacionalizëm rastin në fjalë ku shkroi “dy shqiptarë më pak do të jenë duke menduar armiqtë tanë”.

Ahmeti: Janë 7 motra, kjo ishte motra e vogël, s’kanë as babë e as axhë

Për rastin ka folur edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka konfirmuar se viktima rreth 35-vjeçare që dyshohet se u vra në oborrin e QKUK’së është Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i Lipjanit.

“Janë 7 motra, kjo ishte motra e vogël, s’kanë as babë e as axhë’, tha Ahmeti në ATV.

Disa nga reagimet e kritikat

Abdixhiku i reagon Kurtit: Po flet si analist e si opozitar, merr masa e vepro

Lumir Abdixhiku tha se Kurti po flet si analist e opozitar dhe se “nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit”.

Ai e ka kritikuar Kurtin për atë se Ministria e Shëndetësisë aktualisht është pa ministër.

“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”, ka shkruar ai.

I pari i LDK-së përmendi edhe faktin që nuk ka kryeprokuror të shtetit.

“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tha se nëse Kurti “do përgjegjësi le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe zingjirin komandues të cilin e ka caktuar vetë ai”.

“Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë. Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim.  Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro. Për atë punë je aty”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

Haradinaj: Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim

Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim!

Është dashur të ndodhë një krim makabër mbi një nënë dhe fëmijën e saj të palindur, që një popull i tërë të tmerrohet se deri ku ka shkuar krimi në këtë vend. E ndjera e kishte kërkuar ndihmën e shtetit, i cili fatkeqësisht së bashku me secilin prej nesh po vritet përditë e nga pak, por ai nuk e kishte mbrojtur.

Burimi i së keqës e i krimit në këtë shtet e ka një shkak, e ka një burim dhe e ka një kokë!

Një kryeministër që e defunksionalizon sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, që i poshtëron policët, i lë të leckosur e me paga mizerje, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre, që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyer mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar…ai me ose pa vëtëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë.

Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur “mashtrues” dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasë dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!

Kabashi për Kurtin: Nga ekspert me e akuzu shtetin, në ekspert me e justifiku shtetin

Gazetari Bekim Kabashi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për justifikimet rreth rasteve të dhunës, se nuk ka mjaftueshëm policë për të parandaluar atë.

Postimi:

Kurti po thote se kemi pak policë qe me mujt me e parandalu dhunen ndaj grave, krahasu me nivelin e nalte te ketij fenomeni ne shoqerine tone.

Nga ekspert me e akuzu shtetin per secilen gje sa ishte ne opozite, ne ekspert me e justifiku shtetin per secilin deshtim tash kur eshte drejtues i tij.

Gazetari Ilir Mirena ka komentuar statusin e sotëm të Kurtit.

Demaku, politikanëve: Sonte mos recitoni – mos u shtyni në garën e reagimeve patetike

Kryeredaktorja e Periskopit, Dafina Demaku ka reaguar lidhur me shkrimin të cilësuar si patetik të kryeministrit Albin Kurti për rastin e vrasjes në QKUK, i cili aty përzien pak nacionalizmin.

Sipas Demakut, reagime të tilla skandaloze janë pasojë e dështimit të qeverisjes, ndërkohë thotë se politikanët nuk janë për të recituar, por për të vepruar.

Reagimi i plotë:

Karvanit të reagimeve patetike sidomos nga ana e politikanëve – pa përjashtim – pozitë e opozitë, për rastin tronditës sonte, i bashkohet ky shkrim skandaloz i kryeministrit Kurti. Një tragjedi, dhe shumë si kjo që janë shpeshtu ditëve të fundit, janë edhe pasojë e dështimeve të qeverive – pa përjashtim – në cdo sektor, e sidomos në arsim (po gjithqysh edhe në sektorë të tjerë si drejtësia). Sonte e nesër do të jemi dëshmitarë të shkrimeve patetike dhe garave se kush po reciton më bukur me rreshta, sidomos politikanëve, por u bënë shumë vjet që këta paguhen prej neve – edhe na nuk e dimë një efekt të ndonjë hapi konkret prej ndonjë nisme legjislative, që do ta trajtonte dhe do ta ndaltte urgjent këtë femicid.

Nuk jeni ju me recitu, nuk jeni me u shty kush mundeni me qenë ma prekës se tjetri me reagime. Ju paguheni me vepru. Me ide e nisma konkrete, me plane urgjente edukative në cdo skutë të këtij vendi, për me u çliru nga patriarkalizmi – të cilit shpesh i kontribuoni me gjuhën tuaj publike, edhe ju si politikanë./PERISKOPI/

Shpërndaje në: