Kriza e Rinasit reflekton ‘stresin’ e Ilir Metës dhe Sali Berishës për 25 prillin

Mero Baze Op-Ed

Ndërsa ushtria po merr nën kontroll ndërtesën e Albkontrollit në Aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit në Shqipëri, presidenti i vendit Ilir Meta, është duke inkurajuar një bërthamë njerëzish të LSI dhe PD brenda Albkontrollit, të rezistojnë.

Ajo që po ndodh në Aeroportin e Rinasit, është qartazi një nga betejat që Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë planifikuar në axhendën e tyre të destabilizimit të vendit, në prag të zgjedhjeve.

Emër për emër, ata që janë vetëshpallur grevistë, janë militantë të punësuar nga LSI dhe Partia Demokratike, dhe tani po i përgjigjen një thirrje për luftë nga ata që i kanë punësuar.

Kjo nuk është një grevë ekonomike, ku ti duhet të sqarosh sa e kanë ata pagën dhe pse u është ulur për shkak të pandemisë. Ata do ta bënin atë dhe sikur t’u ishin rritur pagat.

Rinasi është është përzgjedhur nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, si një pikë kyçe nga ku ata mund të destabilizojnë vendin, duke bllokuar trafikun ajror ndërkombëtar. Prandaj çdo debat mbi pagat e tyre, edhe pse janë shumë të larta dhe për t’u pasur zili, është i padobishëm. I vetmi motiv i tyre janë teserat e partisë që mbajnë në xhep, dhe jo zarfat e pagave.

Duke shfrytëzuar statusin profesional të kontrollorëve, si profesionistë të çertifikuar, ata sot në të vërtetë po përpiqen ta vënë këtë monopol profesional në shërbim të kauzës politike të Ilir Metës dhe Sali Berishës, të cilët kanë vendosur që destabilizimin të fillojnë nga Rinasi.

Si në çdo veprim politik të kohëve të fundit, këtij akti i janë bashkangjitur dhe “kontrollorët” e Albin Kurtit nga Kosova, të cilët çuditërisht në një tekst të shkruar me dialekt Skrapari, i kërkojnë qeverisë të negociojë me ta, dhe të mos i shpallë “armiq” të vendit.

Njësoj siç kanë koordinuar me Albin Kurtin për mos pranimin e vaksinave nga Shqipëria, njësoj siç i kanë rekomanduar Albin Kurtit mbylljen e kufirit me Shqipërinë, nga frika se mos qytetarë të Kosovës vijnë vaksinohen në Kukës, njësoj dhe sot, i kanë rekomanduar mbështetje për “grevën” e Rinasit, që revolucioni i nisur të ketë dhe mbështetje nga Kosova.

Kjo është e gjitha një krizë e prodhuar nga politika dhe përgjigjia duhet të jetë e tillë. Nuk është as çështje rrogash, as çështje “stresi” kontrollorësh, por çështje e “stresit” disa vjeçar të Ilir Metës, i cili po përdor një sektor delikat të sigurisë kombëtare, në aleancë me partnerët e tij në opozitë, për të hequr stresin e humbjes më 25 prill.

Ndaj përtej tejkalimit të krizës nga ana profesionale, izolimit të kontrollorëve grevistë dhe zëvendësimit të tyre me profesionistë të tjerë, qoftë dhe nëse kushton disa ditë, duhet të administrohen deklaratat dhe mbështetja politike për këtë operacion kundër sigurisë kombëtare në vend.

Presidenti duhet trajtuar sipas nenit të Kushtetutës që e konsideron fajtor, kur kapet në flagrancë të kryejë akte që cenojnë sigurinë kombëtare në vend. E keni në Vlorë duke kryer një akt të tillë. Është koha të zbatohet Kushtetuta, meqë e ka merak!