Kriza me rrymë, Pacolli: Momenti i fundit që të bashkëpunohet me sektorin privat

Periskopi.com Lajme

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se problemet energjetike në Kosovë po prekin çdo segment të shoqërisë sonë.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë.

“Problemet energjetike në Kosovë sot po prekin çdo segment të shoqërisë sonë, qytetarët dhe bizneset. Politikat adekuate ndaj investitorëve ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë por edhe në diversifikim. Sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh. Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE. Një rast i tillë është në Sharr dhe Brezovicë ( rastesishtë e njoh rastin jane investitorë nga jashtë), të cilat kanë mbi 10 Mgë kapacitet prodhues të energjisë, por nuk janë duke u lëshuar licencë nga ZRRE”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli ka shtuar tutje se është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë

“Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRRE. Vetëm me prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe me mbrojtjen e duhur të investitorëve dhe rregullat ligjore moderne është e vetmja rrugë për të zhvilluar ekonominë tonë, për të rritur investimet e huaja dhe për të prodhuar më shumë energji dhe ngritjen e kapaciteteve të reja”, shtoi Pacolli.

“Tani si po shkon, pengesat burokratike dhe problemet energjetike po i largojnë investitorët aktualë dhe potencialë nga Kosova. Kosovës i duhën edhe shumë investime në sektorin e prodhimtarisë te energjisë elektrike”.