Editorial i Periskopit: Kufijtë e Haradinajt

Editorial i Periskopit: Kufijtë e Haradinajt

Dje u procedua në Kuvend “Raporti final i Demarkacionit” i përgatitur nga Komisioni i ri që kryesohej nga Shpejtim Bulliqi. Komisioni ka gjetur një mori lëshimesh mjaft serioze në komisionin e kaluar, si psh: që komisioni ka zhvilluar bisedime pa platformë; është krijuar për demarkacion por ka biseduar [me Malin e Zi] për përcaktimin e kufijve; është punuar pa përkthyes të autorizuar për nevoja të palës sonë etj.

Nëse janë ose jo këto gjetje serioze dhe vendimtare për çështjen në fjalë, do të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës në javën e ardhshme. Raporti i forcave duket në të mirë të Komisionit aktual. VV, AAK dhe Nisma i kanë 47 deputetë që mund të votojnë kundër, duke e pamundësuar ratifikimin e demarkacionit i cili i kërkon 2/3-at, pra 80 vota nga 120 gjithsej.

Por, në rast se ndodh të miratohet shkaku i presionit ndërkombëtar – siç ishte ta zëmë në rastin Rikallo ku Vetëvendosje nuk votoi për shkarkimin e tij – atëherë Qeveria Haradinaj do të duhej të dorëhiqej. Kjo, me shumë gjasë, do ta shtyente BE-në që t’ia hiqte vizat vendit tonë, por këtë nuk do ta bënte ai që e premtoi, Kryeministri Haradinaj.

Ndërkohë, në rast se raporti i bërë nga komisioni i Murat Mehës bie, që është më e mundshme të ndodh, përsëri situata e Qeverisë aktuale është mjaft e komplikuar. Komisioni i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, do të niste punën thuaj nga fillimi, duke e shtyer për një kohë të gjatë çështjen e vizave. Në faqen 10 të raportit, në fjalinë e fundit shkruhet: “Raportin përfundimtar e dorëzojmë pas përfundimit të hulumtimeve në terren, në arkiva dhe në literaturën përkatëse.”

Nëse marrëveshja e arritur në Bruksel shkilet nga Kosova, padyshim se kjo do të hapte probleme të mëtejme për vendin dhe vetë kryeministrin – kur dihet se BE-ja dhe ShBA-ja ngulmojnë që të miratohet versioni i demarkacionit që u bë nga Murat Meha. Por në anën tjetër, kemi edhe një premtim të thyer të kryeministrit Haradinaj, i cili vazhdimisht kishte thënë se ‘demarkacioni do të zgjidhej brenda tre muajsh, dhe qytetarët do të udhëtonin pa viza’. Dhe, në kontekstin aktual, kjo nuk nënkupton vetëm që Kryeministri nuk ka mundur të mbaj premtimin që e kishte dhënë, por se ai kishte gënjyer. Është e qartë se do të duhet edhe shumë kohë, dhe madje shumë fat, që Kosova të zgjidhë temën më të diskutuar në vendin tonë, dhe më e rëndësishmja: të shpëtojë pa ndonjë pasojë serioze nga e gjithë kjo.

Këta pra janë kufijtë e ngushtë në të cilët kryeministri ynë e gjen veten të mbërthyer. E me të, edhe Kosova.

Çështja e demarkacionit e ka ilustruar më së mirë pamundësinë që vendi ynë t’i zgjidhë vetë, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, problemet e saj të brendshme. Dhe në këtë pikë, kushti i heqjes së vizave me demarkacionin bëhet i kuptueshëm. Mosarritja e rënjes në akord mes palëve politike të përfshira në proces, çon mesazh se Kosova nuk është e aftë të zgjidhë edhe probleme të tjera, më të rëndësishme që pritet t’i vijnë në të ardhmen.

Shpërndaje në: