Kur Vuçiqi shqiptoi “UÇK” në Beograd dhe ngulmonte që të hapej arkivi i saj

Kur Vuçiqi shqiptoi “UÇK” në Beograd dhe ngulmonte që të hapej arkivi i saj

Tash e një kohë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar me ngulm që të hapej arkiva e UÇK-së – kërkesë kjo që ka zënë në befasi opinionin në Kosovë e që duket se do të plotësohet nga Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës për vite me radhë është konsideruar si forca guerile që çliroi vendin nga Serbia duke ndjellë simpati të madhe ndër shqiptarë.

Por, megjithëse e humbi luftën prej saj, Serbia vazhdimisht është përpjekur ta njolloste imazhin e saj nga vera e vitit 1999 kur trupat e saj po tërhiqeshin të mundur nga Kosova.

E përpjekjet e Serbisë për njollosjen e UÇK-së kaluan në një fazë të re: hapjen e të ashtuquajturës “arkivë”.

Vuçiq, para më më pak se tre muajve në Beograd kishte përmendur madje edhe në shqip emrin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (min.18:40 në videon e mëposhtme) me një theks që dukej mjaft i mirë.

Por, përmendja e UÇK-së para mediave serbe nuk ishte në kontekst pozitiv, ashtu siç edhe mund të pritej.

Një gjë të tillë ai e bëri duke deklaruar se “ka arkiva të UÇK-së me dëshmi se ku janë varrezat e civilëve dhe ushtarëve serbë”.

Krerët e UÇK-së e kishin mohuar vazhdimisht ekzistencën e një arkive të tillë, duke thënë se çliruesit e vendit kishin qenë guerilë dhe nuk kishin pasur infrastrukturën e nevojshme për të organizuar arkivimin e të bëmave të saj.

Kryeministri Kurti sot mbështeti veprimin e Besnik Bislimit, zëvendësit të tij, që ishte pajtuar të hapeshin arkivat duke thënë se “nuk kemi çka fshehim”.

Presidenti i Serbisë në konferencën e mbajtur më 16 qershor kërkonte edhe më me ngulm arkivën në fjalë.

“Edhe pse Prishtina e mohon ekzistencën e Arkivit të UCK-së, Beogradi ka deshmi se ajo ekziston dhe se aty ka të dhëna mbi lokacionet ku janë hedhur serbët e zhdukur.” – thoshte presidenti i Serbisë më 16 qershor.

“Ne po kërkojmë të dhënat se ku ndodhen varrezat masive me civilë e ushtarë serbë. Por neve na kanë thënë se kjo arkivë nuk ekziston. Ne kemi gjetur dëshmi se kjo arkivë ekziston. Autor [i librit që dëshmon diçka të tillë] është Nusret Pllana. Ai thotë se materialin e ka marrë nga depoja e Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës.” – vazhdonte ai.

Vuçiq kritikonte palën kosovare që e mohonte ekzistencën e kësaj arkive.

Tashmë, Qeveria e Kosovës e ka pranuar ekzistencën e saj megjithëse askush deri tash nuk ka folur për lokacionin e saj.

Edhe në takimin e dytë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq ishte përmendur libri i Pllanës dhe i arkivës së UÇK-së, por lideri ynë megjithatë nuk kishte pranuar as ekzistencën por as hapjen e saj. /Periskopi

Shpërndaje në: