Kurdisjet në Ligën e Parë po bëhen me ‘zotnillëk’, askush nuk po merr masa

Kurdisjet në Ligën e Parë po bëhen me ‘zotnillëk’, askush nuk po merr masa

Metodë e re për synimin e vjetër. Duan t’i shpëtojnë turpërimit teatral në fushë, për të marrë pikërisht pikët e turpit me “zotnillëk” në tavolinë.

Kur jemi vetëm në fillim të stinorit pranveror në Ligën e Parë, plot katër ndeshje janë regjistruar me rezultat zyrtar në tavolinë, përcjellë Gazeta Olle.

Duhet të jesh jashtëzakonisht naiv të mendosh që gabimet e klubeve, duke inkuadruar lojtarë pa të drejtë loje në fushë, ishin të paqëllimshme.

Sidomos kur sheh rrjedhën e zhvillimeve para sfidave.

E nisim me sfidën e fundit të regjistruar në tavolinë mes Vitisë dhe 2 Korrikut.

Vitia fitoi 2:1 në shtëpi ndaj prishtinasve, por inkuadrimi në lojë i lojtarit Ylli Fazlia bëri që mysafirët të fitojnë ndeshjen me rezultat zyrtar.

Për ironi të fatit, pikërisht 2 Korriku humbi në tavolinë një ndeshje javën e kaluar.

Dhe, a e dini ndaj kujt? Ndaj Vllaznisë që po lufton për mbijetesë, e që është klub i Komunës së Vitisë.

Në horizont shihet një pazar i pastër, ku Vllaznia ia mori trepikëshin 2 Korrikut në kryeqytet para një jave dhe ia dha atë përmes ndeshjes ndaj Vitisë.

Një pazar i turpshëm ndodhi edhe në sfidën tashmë të famshme mes Trepçës dhe Fushë Kosovës.

Ndeshja e “Adem Jasharit” ishte kurdisur me pjesë në bastore, po ashtu ishte regjistruar me rezultat zyrtar.

Fitorja e mitrovicasve në fushë 2:1 (me përmbysje në pjesën e dytë pasi që në të parën ishin duke humbur 0:1), dyshohet se iu mbushi xhepat me para atyre.

E më pas sfida u regjistrua 0:3, sepse pikërisht “Xehetarët” kishin futur në lojë një futbollist pa të drejtë loje.

Telenovelë e turpshme, që sërish zë drejtësinë në gjumë të thellë.

Ndeshja tjetër e regjistruar në tavolinë ishte ajo mes Kikës së Hogoshtit dhe Bashkimit të Koretinit.

Ballafaqimi i mbyllur me barazim 1:1 në fushë, u regjistrua pastaj 0:3 nga mysafirët.

Ky fenomen, i dyshuar si mënyrë e re për kurdisje të rezultateve, po rritet në një kohë rekorde dhe definitivisht Federata e Futbollit të Kosovës duhet të hapë sytë dhe të “shtrëngojë dënimet”.

Më poshtë i keni katër sfidat e regjistruara në tavolinë vetëm në stinorin pranveror në Ligën e Parë.

Në fushë: 2 Korriku – Vllaznia 1:0
Në tavolinë: 2 Korriku – Vllaznia 0:3

Në fushë: Vitia – 2 Korriku 2:1
Në tavolinë: Vitia – 2 Korriku 0:3

Në fushë: Trepça – Fushë Kosova 2:1
Në tavolinë: Treçca – Fushë Kosova 0:3.

Në fushë: Kika – Bashkimi 1:1
Në tavolinë: Kika – Bashkimi 0:3

Shpërndaje në: