“Kurti do ta kishte më të lehtë me Trumpin sepse Bideni e njeh mirë”

“Kurti do ta kishte më të lehtë me Trumpin sepse Bideni e njeh mirë”

Opinionisti i shquar Mero Baze ka qenë ndër zërat më kritikë të Albin Kurtit në muajt e fundit. Perspektiva e tij kritike është më e ndryshme nga ajo e shumë prej kolegëve të tij. Periskopi ka kontaktuar me z.Baze për ta pyetur në lidhje me zhvillimet që e përcollën Kosovën pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Baze i ka bërë një varg shkrimesh në të cilat ka sulmuar figurën dhe qëndrimet e z.Kurti, që është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Vetëvendosje ia doli që në zgjedhjet e 14 shkurtit t’i merrte gati 50 për qind të votave, ose mbi 400 mijë vota.

Kjo nuk e ka trembur z.Baze që t’i dalë kundër pushtetit të ri, duke demaskuar qëndrimet kontroverse apo tendencat e papranueshme politike.

Ai i ka thënë Periskopit për çështjen e Ambasadës në Jerusalem, se nëse Kurti lëviz nga pozicioni i përcaktuar nga shteti i Kosovës kjo nënkupton “shpallje të luftës” së pari ndaj Kosovës, e pastaj edhe “ShBA-ve”.

Baze po ashtu ka vlerësuar që Kurti do ta kishte më të lehtë me Trumpin, se sa me presidenti e ri amerikan, z.Joe Biden.

Intervista është realizuar nga gazetari Shkëlqim Beqiri.

Më poshtë e keni intervistën e plotë:

PERISKOPI:

Si po i shihni komentet e fundit nga kryeministri në ardhje, Albin Kurti, për vendosjen e ambasadës në Jerusalem?

BAZE:

Komentet e kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti tregojnë se Kosova ka zgjedhur kryeministër një frikacak që nuk përballet dot me problemet kryesore dhe madhore të Kosovës. I gjendur mes presionit turk dhe projektit amerikan për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Albin Kurti po tregon mungesë integriteti dhe vendim-marrje që janë thelbësore për një lider. Relativizimi i Marrëveshjes së Uashingtonit prej tij, në fakt do të thotë mohim i njohjes nga Izraeli, çka shpresoj se nuk do ta lejoj njeri ta bëj. Nëse e bën ai i ka shpall luftë së pari Kosovës e pastaj SHBA-ve. Nuk besoj se e fiton këtë luftë.

PERISKOPI:

A mendoni se administrata e Joe Biden do ta rishqyrtojë ‘Marrëveshjen e Washingtonit’ sepse Vetëvendosje po pretendon se kjo marrëveshje nuk do të respektohet dhe beson tek Biden për një rishikim?

BAZE:

Administrata amerikane është administratë që vepron mbi parimet e shtetit amerikan dhe strategjinë afatgjate të tij dhe jo sipas tekave të Presidentëve. Administrata e Presidentit Biden e ka thënë qartë që e përshëndet atë Marrëveshje dhe pret të zbatohet. Kjo “euforia” se Biden do jetë i butë me Kurtin ndryshe nga Trump është legjendë urbane. Biden është vërtet ndryshe nga Trump-i, por për fatin tonë ai e njeh aq mirë Kosovën sa nuk mund ta mashtrojë askush. Në këtë aspekt, Kurti do ta kishte më të lehtë me Trumpin se ai nuk e dinte dhe aq mirë ku binte Kosova, kurse Biden njeh me emër e mbiemër shumicën e klasës politike të Kosovës.

PERISKOPI:

Si e konsideroni ‘lojën’ e Kurtit me prioritetet e tij? Zhvendosjen nga pozita 6-7 në atë 4?

BAZE:

Loja është shenja e frikës që ai ka për tu përballur me detyrat si Kryeministër i Kosovës në këtë kohë. Ai kërkon të viktimizohet përsëri, “në emër të kombit”, se gjoja SHBA s’po e lë të qeverisë dhe po e tërheq në agjendën e vet. Atë politikan do ta shikoni gjithë jetën duke bërë viktimën që nuk e lënë të bëj Kosovën, pastaj të bashkohet me Shqipërinë e përralla të tjera. Është tipike cilësia e një lideri populist e hipokrit, që dështimet e veta tenton t’ua faturoj të tjerëve në emër të patriotizmit.

PERISKOPI:

A besoni që z.Kurti do ta ri-vendos masën e reciprocitetit – dhe e cila me shumë gjasë do ta pamundësonte sërish dialogun me Serbinë?

BAZE:

Kurti do të tentoj të bëj gjithçka për të mos bërë asgjë për Kosovën. Një nga këto marrëzi mund të jetë dhe kjo.

PERISKOPI:

Cilat besoni se do të ishin pasojat për Kosovën nëse Kurti me qeverisjen e tij vendos të bojkotojë dialogun përkundër thirrjeve ndërkombëtare?

BAZE:

Nëse kjo ndodh atëhere Albin Kurti do ndërroj pozitat e Kosovës me ato të Serbisë në vitin 1999. Në atë kohë refuzimi i serbëve për të nënshkruar Rambujen solli bombardimin e Serbisë dhe fitoren e shqiptarëve. Tani refuzimi I Kurtit do të sjellë fitoren e Serbisë dhe vënien në pikpyetje të së ardhmes së Kosovës. Nder më të madh se kaq Serbisë nuk I ka bërë askush. /Periskopi

Shpërndaje në: