Kurti e Hajdari takohen me përfaqësues të ‘Kosmonte Foods’, të cilëve ua dhanë 25 hektarë tokë

Kurti e Hajdari takohen me përfaqësues të ‘Kosmonte Foods’, të cilëve ua dhanë 25 hektarë tokë

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim përfaqësues të kompanisë “Kosmonte Foods” nga Kosova dhe “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia. Periskopi kishte raportuar se si Qeveria Kurti ia kishte ndarë kompanisë “Kosmonte Foods” 25 hektarë tokë, pronë e shtetit, në emër të investimeve që do të bënte këtu.

Kompania “Kosmonte Foods” para pesë muajve mori statusin e Investitorit Strategjik. Kjo ani pse Ministria e Tregtisë kishte mbi tavolinë dhjetëra projekte tjera, vendosi që të shtyjë përpara nismën e kësaj kompanie. Me këtë rast, pa asnjë kompensim, kompanisë iu dhanë 25 hektarë tokë. Procesi u pa si i kundërligjshëm nga pozita, duke u konsideruar se rasti është për Prokurori, dhe jo për ndarje tokash, për çka partia e Albin Kurtit u akuzua se favorizoi këtë kompani, që sipas tyre, ishte donator i Vetëvendosjes.

Kuvendi i Kosovës më 8 shkurt 2022, me 67 vota për pati miratuar rekomandimin e Komisionit ndërministror për investime strategjike për dhënien e statusit investitor strategjik kompanisë Kosmonte Foods.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari kishte thënë se përmes këtij vendimi do të ketë një investim mbi 11 milionë euro të kompanisë dhe punësim të rreth 300 personave në përudhen afatmesme 2021-2025. Më këtë rast kompanisë i janë dhënë edhe 25ha tokë për 99 vite.

Në kohën kur Ministria e Tregtisë kishte dërguar në Qeveri emrin e kompanisë, ka pasur në tavolinë edhe 40 aplikime tjera. Bile, një prej kompanive që ishte rekomanduar si Investitorë nga ish qeveria e Avdullah Hotit, ishte kthyer prapa nga qeveria Kurti.

Toka që i është dhënë në shfrytëzim kompanisë “Kosomnte Foods”, është pronë e Agjencisë së Pyetjeve që ndodhet në Fushë Kosovë, dhe prona ishte shfrytëzuar edhe më herët nga kompania.

Ndaj kompanisë në fjalë, Agjencia e Pyetjeve kishte ngritur padi për mosrespektim të kontratës, ndërsa pak para se Qeveria të votonte për Investitorë Strategjik, Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci e kishte tërhequr padinë nga gjykata. Padia ishte bërë nga ish qeverisja e kaluar.

Ministria e Bujqësisë nuk i interesonte epilogu i gjykatës, donte që kompania të pajiset më pasaportën e Investitorit Strategjik, për çka do të ketë bënifite nga shteti.

Një kompani, nuk mund të rekomandohet për Investitorë Strategjik, nëse ka probleme me ligjin. Kjo është e përcaktuar edhe në Udhëzimin Admisnitartiv (QKR) 15/2018 Për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Caktimin e Statusit të Investitorit Strategjik.

Disa herë kishte dështuar në Kuvend, kërkesa e qeverisë për të dërguar tutje këtë projekt, pasi qeveria e kundërshtonte më ngulm, për shkak të problemeve me ligjin.

Bilë njëri nga deputete e Kuvendit ka deklaruar publikisht se kompania më herët e kishte të uzurpuar me vite të tëra një pjesë të tokës, e cila më pas i ishte dhënë më letra nga Qeveria. Ai kishte thënë se rasti është për prokurori dhe jo t’i jepej tokë.

Kjo është komunikata e plotë  e takimit të sotëm:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, takuan sot përfaqësuesit e kompanive “Kosmonte Foods” nga Kosova dhe “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia, të cilat janë përkushtuar për investimin e ri në fushën e mbarështimit të shpezëve dhe prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit të freskët të shpezëve.

“Perutnina Ptuj Group” ka traditë 117 vjeçare në këtë sektor, punëson mbi 3,700 punëtorë në 7 shtete të ndryshme, ka mbi 500 bashkëpunëtorë të cilët rrisin zogj në mjediset e tyre natyrore, posedon 6 fabrika prodhimi dhe eksporton në 20 shtete në të gjithë botën. Ndërsa partneri i tyre për Kosovë, “Kosmonte Foods” me traditë 22 vjeçare, është gjithashtu përfaqësues i tyre për tregun e Shqipërisë, Gjermanisë, Dubait dhe Katarit.

Drejtori Ekzekutiv i “Perutnina Ptuj Group”, Enver Sisic, prezantoi para kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve tjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës idenë e investimit me treguesit konkret.

Kryeministri Kurti e mirëpriti shprehjen e interesimit të partnerëve nga Sllovenia dhe Kosova për të investuar në Kosovë dhe i siguroi investitorët që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht që të lehtësojë ambientin e të bërit biznes dhe të investuarit në Kosovë. Kompanitë kredibile ndërkombëtare që sjellin njohuritë me fokus në cilësi, siguri dhe gjurmueshmëri, me rrjetet e tyre të shpërndarjes së produkteve nëpër botë,  janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e kompanive “Perutnina Ptuj Group” dhe “Kosmonte Foods” për përparësitë konkurruese për të investuar në Kosovë dhe u ofroi mbështetjen institucionale në realizimin e interesimit të shprehur për investim në vendin tonë./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: