Kurti flet për dështimin e vizitës në SHBA: Po përgatitet vizita ime në fillim të vitit të ardhshëm

Kurti flet për dështimin e vizitës në SHBA: Po përgatitet vizita ime në fillim të vitit të ardhshëm

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka folur së fundmi për ‘’shtyerjen e vizitës’’ që ishte planifikuar të bëhej në nëntor të këtij viti në SHBA, por që mbrëmë u konfirmua nga qeveria se do bëhej në vitin 2022.

Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Qeverisë mbrëmë, i cili tha se vizita ishte shtyrë për vitin 2022.

”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin’’, tha ai.

E për këtë është deklaruar edhe vetë Kurti sot në një konferencë, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Kurti tha se shefi i stafit të tij është duke e përgatitur vizitën për në SHBA, e që do bëhet në fillim të vitit të ardhshëm.

‘’Shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm. Ne nuk do njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti shkurt para gazetarëve.

Kujtojmë se me 20 shtator të këtij viti, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar se deri atëherë nuk kishte aplikuar për vizë pasi që nuk ka pasur synim të udhëtojë për në SHBA. Por ai në fjalimin e tij para dy muajsh, Kurti kishte thënë se udhëtimin për në Amerikë do ta bëjë në nëntor.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti.

Për këtë udhëtim kishin folur edhe nga Qeveria e Kosovës, ku kishin thënë se kryeministri është duke planifikuar ta vizitojë së shpejti Amerikën, mirëpo që nuk kishin dhënë fare datë.

Shpërndaje në: