Kusari-Lila: Asociacionit do t’i rezistojmë

Kusari-Lila: Asociacionit do t’i rezistojmë

Deputetja dhe ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për medie të hënën e 8 gushtit tha se ata do të rezistojnë nëse qëllimi i themelimit të Asociacionit është forcimi i një mekanizmi të Serbisë brenda Kosovës.

Kusari-Lila tha se arsyeja që do të rezistohet është se nuk po përdoren “arsye kredibile” për përmirësimin e jetës së qytetarëve serb në Kosovë.

Ajo u shpreh se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës “fatmirësisht kanë kuptuar tashmë qasjen destruktive të Serbisë në Kosovë”.

“Nëse ideja për themelimin e asociacionit dhe insistimi për themelimin e asociacionit është për të krijuar dhe forcuar një mekanizëm të Serbisë për funksionim në Kosovë, atëherë natyrisht që do të rezistojmë ashtu siç kemi rezistuar deri më tani”.

Asociacioni, konsideron Kusari, është veçse një mekanizëm përmes të cilit Serbia do të ushtronte ndikim e saj brenda Kosovës.

Ky ndikim, sipas saj “deri më tani është negativ skajshmërisht. Nga nismat rajonale, nga problemet në veri të vendit dhe situatat e vazhdueshme problematike që qojnë deri të ajo çfarë po shihet tashmë edhe nga vendet tjera fatmirësisht edhe të BE-së, ShBA-së për qasjen destruktive dhe problematike të Serbisë në vend”.

Kusari-Lila shtoi se më 1 shtator, Qeveria parasheh që të fillojë zbatimi i vendimit të qeverisë për zëvendësimin e targave ilegalë dhe atij për reciprocitet.

Tutje, ajo foli edhe për ndikimin rus në Kosovë për të cilin tha se punën e mediave duhet të mbikëqyret sepse siç vlerëson ajo “depërtimi më i madh i dezinformomi apo tendencave për ndikim rus është bërë përmes mediumeve apo rrjeteve të ndryshme”.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet në Bruksel së bashku me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, vetëm disa javë pas tensioneve në veriun e Kosovës.

Kurti ka bërë me dije se nuk do të diskutoj për targat dhe letërnjoftimet, por do të përpiqet për trajtimin e një marrëveshje perfundimtare me Serbinë./Periskopi/

Shpërndaje në: