Kusari -Lila: Jam e bindur që Projektligji për Trustin nuk kalon

Kusari -Lila: Jam e bindur që Projektligji për Trustin nuk kalon

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari–Lila është shprehur e bindur se Projektligji për tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti nuk do të miratohet nga Kuvendi.

Këto deklarata ajo i bëri në Tëvë 1, teksa shtoi se “në një situatë hipotetike” nëse ndodh kjo atëherë do të shkatërrohej sistemi i Fondit Pensional, por edhe e ardhmja e 600 mijë qytetarëve.

“Unë jam e bindur se nuk do të kalojë, megjithatë një situatë hipotetike në një vendim ndikon drejtëpërdrejt në shkatërrimin e një sistemi por edhe në prishjen dhe dëmtimin e të ardhmes së 600 mijë qytetarëve gjegjësisht të humbjes së një rrjete apo sistemi garantues për pleqëri të mirëfilltë”, tha ajo.

Sipas saj, është brengosëse se si një iniciativë e tillë e cila është nisur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka marrë hov të madh.

“Është për t’u brengosur fakti që si një iniciativë e një deputeti të PDK-së ka marrë këtë hov, gjegjësisht është e kuptueshme nga qytetarët në kohën kur ekziston mundësia për tërhequr mjetet, por e pakuptueshme për partitë opozitare që fillimisht ishin kundër e kanë akademikë të mjaftueshëm për të ditur se një tërheqje e tillë në ligjin për Trustin do e rëndonte, do e shkatërronte këtë sistem”, shtoi ajo.

Madje, shefja e GP të LVV-së theksoi se nga kjo tërheqje nuk do të përfitonin ata që kanë nevojë, por qytetarët që i përkasin shtresës së mesme.

“Ndërsa tashmë situata është shumë më dramatike për arsye se flasim për 600 milionë euro që mund të tërhiqen nga Trusti, mjetet e investuara jashtë Kosovës e gjithashtu për arsye se mbi 350 mijë posedues të llogarive në Trust do të kishin shuma të vogla për të tërhequr ndërsa ata që do të kenë mundësinë e tërheqjes ata që i përkasin shtresës së mesme dhe nuk janë qytetarët në nevojë”, deklaroi ajo.

Shpërndaje në: