Kuvendi i Prishtinës mban seancë të jashtëzakonshme
Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për mjetet vetanake dhe buxhetin e vitit 2026. Seanca do të fillojë nga ora 15:00.
Ky zhvillim vjen pas disa ditësh bllokimi të transportit publik, për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit, si dhe problemeve financiare të komunës. Situata ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.
Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, ka shpresuar që në mbledhjen e jashtëzakonshme që do mbahet sot në Kuvendin Komunal në Prishtinë, do të gjendet një zgjidhje për situatën në të cilën ndodhen.
Gashi tha se kjo mbledhje është legjitime dhe nëse nuk do të arrihet një rezultat, paralajmëroi vazhdimin e grevës.
“Nëse nuk ka zgjidhje, greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve që është ndaj operatorëve. Ne po shpresojmë që do të mbarojë, po shpresojmë që në këtë mbledhje do të mbizotërojë arsyeja”, tha ai./Periskopi/



