Ky është apeli i Bashkësisë Islame për asambleistët e Komunës së Prishtinës
Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar debat lidhur me ndërtimin e xhamisë në Dardani, për të cilën është nisur edhe një peticion kundër ndërtimit me projektin aktual. Bashkësia Islame e Kosovës, u bën thirrje asambleistëve të Komunës që të marrin vendim pozitiv, në të kundërtën, paralajmërojnë fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë edhe pa leje, shkruan Periskopi.
Nga Bashkësia Islame e Kosovës, i kanë bërë thirrje komunës së Prishtinës, përkatësisht asambleistëve të saj, që të marrin një vendim pozitiv, pasiqë sic thonë ata, projekti për ndërtimin e xhamisë në lagjen Dardania ka përmbushur të gjitha kriteret.
“Apeloj tek asambleistët e komunës së Prishtinës që të marrin një vemdim pozitiv lidhur me këtë çështje, në të kundërten, mund të them vetëm atë që ka thënë edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava, ne do të detyrohemi edhe përkundër dëshirës tonë, do të detyrohemi të ndërtojmë pa leje’, ka thënë zëdhënësi i BIK’ut në një deklaratë për Periskopin.
Zyrtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë thënë se Komuna e Prishtinës ende nuk u ka dhënë leje për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë.
Ditëve të fundit, është hapur një debat i gjerë lidhur me ndërtimin e xhamisë në lagjen Dardania në Prishtinë, kjo pas një peticioni të disa anëtarëve të shoqërisë civile, të cilët thonë se ‘nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por janë kundër këtij projekti i cili nuk përkon me urbanizmin e lagjes Dardania’./Periskopi./



