Ky ishte lojtari më i mirë i Kosovës në Kualifikimet për EURO2020

Ky ishte lojtari më i mirë i Kosovës në Kualifikimet për EURO2020

Kualifikimet për EURO2020 përfunduan për Kosovën mbrëmë me një paraqitje të mirë por me rezultat zhgënjyes. Por, si ishte paraqitja e përgjithshme e kombëtares së Kosovës në këto kualifikime?

Kosova përfundoi e treta në grupin A me 11 pikë në tetë ndeshje, prapa Anglisë [21] dhe Çekisë [16] dhe para Bullgarisë [6] dhe Malit të Zi [3].

Golavërazhi i përgjithshëm i Kosovës ishte 13 gola të shënuara dhe 16 të pësuara, nëntë prej të cilëve u morën vetëm nga kombëtarja e Anglisë, shkruan Periskopi.

Por, kush ishin lojtarët më të dalluar dardanë gjatë gjithë fazës kualifikuese që i përfshiu tetë ndeshje?

Me nga 720 minuta [dmth çdo minutë të çdo ndeshjeje] ishin vetëm portieri Aro Muriq dhe mbrojtësit Fidan Aliti e Amir Rrahmani. Pas tyre, për nga minutazha dolën Vojvoda, Celina, Rashica e Muriqi.

Gjashtë lojtarë të Kosovës nuk kishin arritur të bënin asnjë paraqitje dhe të luanin në asnjë minutë të vetëm, shkruan Periskopi.

Sa i përket golave, prin Vedat Muriqi me katër gola të shënuar, i pasuar nga Milot Rashica e Valon Berisha që i shënuan nga dy. Nga një e realizuan Rrahmani, Vojvoda, Nuhiu, Zeneli dhe Elba Rashani.

Kësisoj, lojtari më i mirë dardan në kualifikimet EURO2020 ishte pa asnjë mëdyshje sulmuesi i Fenerbahçes, Vedat Muriqi. Rekordin e tij prej 4 golave në vetëm 6 ndeshje do ta ketë të zorshme që ta thyej çdo sulmues tjetër kosovar në të ardhmen. /Periskopi

Shpërndaje në: