LDK akuzon Vetëvendosjen për ngecjen e liberalizimit të vizave

LDK akuzon Vetëvendosjen për ngecjen e liberalizimit të vizave

Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se Kosovës i është bërë padrejtësi për vizat tash e sa vjet, ani pse kjo e fundit ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura.

Muhamet Hamiti, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë për ‘Gazeta Blic’, thotë se liberalizimi i vizave nuk varet nga dialogu Kosovë-Serbi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që kjo çështje të ndërlidhet me dialogun.

“Kosovës i është bërë padrejtësi për vizat tash e sa vjet, ndonëse vendi ynë, gjatë qeverive të kaluara, ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura, më shumë se çdo vend tjetër i Evropës që ka marrë tashmë liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave nuk varet nga dialogu Kosovë-Serbi. Qeveria e Kosovës nuk bën të lejojë që kjo çështje të ndërlidhet me dialogun, por ajo duhet të bëjë çmos, për aq sa është në dorën e saj, që dialogu politik për arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke të Kosovës dhe të Serbisë të vazhdojë. Të mos bjerë në grackën e Serbisë, që është e interesuar për status quo, duke e kthyer procesin në dialog për çështje praktike, siç po bën aktualisht”, thotë Hamiti.

Hamiti ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët atë kohë kishin kundërshtuar miratimin e demarkacionit në Kuvend, e që sipas tij, kjo ka ndikuar që si vend të humbim rastin për një kohë të pacaktuar.

“Vetëvendosja (LVV) në opozitë, tash në Qeveri, s’është pa faje për punën e liberalizimit të vizave. E kishim rastin para sa viteve që, me miratim të demarkacionit, të merrnim vizat. VV-ja me partnerë të tjerë të papërgjegjshëm atëherë ka pasë kundërshtuar dhunshëm miratimin e demarkacionit në Kuvend. Si vend e humbëm rastin për një kohë të pacaktuar”, vlerëson ai.

Sa i përket samitit të sotëm të BE-Ballkani Perëndimor i cili u mbajtë në Brdo të Sllovenisë, ai thotë se as Kosova as vendet e tjera s’duket të jenë pyetur për Deklaratën e Samitit.

“As Kosova as vendet e tjera s’duket të jenë pyetur për Deklaratën e Samitit (Brdo, 6 tetor 2021), nëpërmjet së cilës, siç thuhet në pikën e parë, “BE-ja riafirmon mbështetjen e saj të qartë për Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane, e cila është në interesin tonë strategjik reciprok dhe mbetet zgjedhja jonë e përbashkët strategjike.” Me këtë zotim për “perspektivën evropiane” jemi prej vitit 2003. Tash e 18 vjet. E rëndësishme është që, siç thuhet në pikën 10 të deklaratës, BE-ja parashtroi një Plan Ekonomik dhe Investimi (PEI) dhe udhëzime për Zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. “Plani përcakton një paketë të konsiderueshme të investimeve që mobilizon rreth 30 miliardë euro për rajonin gjatë shtatë viteve të ardhshme, e përbërë nga 9 miliardë euro në financimet me grante dhe 20 miliardë euro në investime, të shfrytëzueshme përmes Instrumentit të ri të Garancisë së Ballkanit Perëndimor.”, po citoj nga deklarata.Këtu do të ketë punë për Qeverinë e Kosovës; nëse do të jetë e zonja të përfitojë nga kjo paketë”, deklaron ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mori pjesë në Samitin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në Brdo të Sllovenisë.

Në fjalën e tij në sesionin plenar, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës ka një qeveri demokratike dhe stabilitet institucional.

Duke theksuar se kanë kaluar mbi tre vjet që kur Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë, kryeministri u bëri thirrje udhëheqësve skeptikë në BE që të pranojnë përparimin në Kosovë dhe të heqin regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Fjalimi i plotë i Kurtit në Slloveni: Përmend prezencën e ambasadorit rus tek vija kufitare Kosovë-Serbi

Shpërndaje në: