LDK: Pritshmëritë tona janë pozitive, qytetarët të dalin të votojnë

LDK: Pritshmëritë tona janë pozitive, qytetarët të dalin të votojnë

Shtabi zgjedhor i LDK-së, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka diskutuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Udhëheqësi i këtij shtabi, Arben Gashi ka thënë se presin që një pjesë të komunave të mos shkojnë në balotazh.

Ai më tej ka bërë të ditur se në disa qendra të votimit ka pasur probleme me energji elektrike, derisa ka ftuar KEDS-in dhe KQZ-në që problem të tilla të mos paraqiten në orët e pasdites.

“Ne sot kemi të angazhuar rreth 2651 komisionarë dhe 4400 vëzhgues dhe me mijëra aktivistë dhe njerëz që sot punojnë për LDK-në dhe komunat e tyre. Procesi ka filluar sipas kohës së paraparë ligjore, ka filluar mirë dhe korrekt. Ka pasur probleme të vogla në ndonjë vendvotim ose qendër të votimit. ka pas disa probleme të vogla me energji elektrike, por përgjithësisht ka qenë proces i mirë. Prandaj e ftoj KEDS-in dhe KQZ-në që të gjitha votimet të jenë me energji sidomos gjatë natës”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se sipas vlerësimeve të tyre pjesëmarrja në zgjedhje është pothuajse e ngjashme me proceset e kaluara zgjedhore

“Ne si LDK si shtab ftojmë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ne presim që një pjesë e konsiderueshme të komunave të marrin rezultatin sot dhe të mos kenë balotazh. Pritshmëritë tona janë pozitive”, tha Gashi.

Shpërndaje në: