Letër Ministrisë së Arsimit

Letër Ministrisë së Arsimit

Të dashtun,

Unë jam i pafuqishëm përballë një ministri që i fton shkencëtarët që t’i shpërblejë dhe i dënon me përbuzje.

Unë jam hiç në raport me fuqinë që ka një ministër për të poshtëruar një komunitet të tërë shkencëtarësh.

Megjithatë, kam të drejtën të kërkoj mbështetjen tuaj.

Unë parti nuk kam, lider-idhull nuk kam, megjithatë mendoj që kam të drejtë të kërkoj trajtim të dinjitetshëm.

Jam shumë kurioz, që të shoh se sa mbështetës janë shoqëria civile, mediet dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë për synim avancimin e arsimit dhe hulumtimit shkencor në raport me një tallje të tillë.

Nëse keni durim lexojeni, e nëse ndiheni po kaq të pafuqishëm sa unë edhe shpërndajeni, se mos ka diku një adresë që mbështet ata që zhgënjehen më nëpërkëmbjen në këtë vend.

Ankesë dhe shprehje zhgënimi

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Arsimit,

Të nderuar përfaqësues të Medieve,

Të nderuar përfaqësues të Organizatave Jo-qeveritare në Kosovë

Meqë të gjithë kemi për obligim që të promovojmë shembujt më të mirë të respektimit të institucioneve, më lejoni që të ndaj me ju zhgënjimin tim personal me Ministrinë e Arsimit dhe të shpreh indinjatën time të thellë me trajtimin që u është bërë studiuesve nga ky institucion i lartë shtetëror.

Kjo ankesë e imja është edhe thirrje që iu drejtohet institucioneve shtetëore dhe organizatave joqeveritare për të fuqizuar funksionimin e përgjegjshëm dhe llogaridhënien në raport me individët dhe grupet që synojnë promovimin e vlerave të mirëfillta në fushën e edukimit dhe hulumtimit shkencorë.

Unë jam Fitim Uka, doktor shkence i psikologjisë. Si edhe shumë studiues të tjerë të rinj, jam përgjigjur në konkursin e shpallur për çmimet “Shkencëtari i Ri i Vitit” dhe ““Shkencëtari i Vitit”, të publikuar me datën 15 nëntor, 2017 në ueb- faqen e Minsitrisë së Arsimit (shih vegzën: http://masht.rks- gov.net/konkurset?page=2). Konkursi që ka mbetur i hapur deri më datën 5 dhjetor, asnjëherë nuk ka marrë përgjigjen e zyrtarëve të Ministrisë.

Edhe sot, kur data shënon 25 Janar, nuk ka asnjë përgjigje të vetme nga ana e Ministrisë së Arsimit për aplikimin. Ndërkaq, nuk kanë munguar deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë, përfshirë edhe vetë Ministrin, për anulimin e këtij konkursi në medie. Konkursi, sipas deklarimeve zyrtare, është anuluar për shkak se Këshilli Shkencorë i MAShT ka pasur 8 anëtarë dhe do të duhej të kishte 7 të tillë. Kjo është cilësuar jashtëligjore. Deri këtu pajtohem plotësisht.

Por, paradoksi qëndron tek trajtimi i aplikuesve. Andaj, më lejoni që të shtroj disa pyetje të thjeshta, që besoj që do të duhej të merrnin përgjigje, nëse Ministria do të ishte e përkushtuar për respektim të ligjit dhe trajtim të dinjitetshëm të shkencëtarëve të rinj.

Si është e mundur, që aplikuesit nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare për anulimin e konkursit? Besoj, që të paktën një sqarim meritojnë të gjithë ata që kanë aplikuar. Ndërkaq, jam i bindur që një përgjigje zyrtare, me sqarimet përkatëse do të duhej ta ofronin zyrtarët e ministries conform obligimeve ligjore.

Çfarë sqarimi duhet t’iu japë 6 institucioneve ndërkombëtare që më kanë nominuar për çmimin “Shkencëtari i ri i Vitit”? Të iu them që Ministria e ka anuluar konkursin, për shkak se po në këtë Ministri është emëruar një komision me përbërje antiligjore apo të iu tregoj atë që kemi marrë vesh në mungesë të përgjigjes zyrtare, që Ministria ka shumë presion për të shpallur shkencëtarë të vitit, ata që kanë kontribuar për ardhjen e partive në pushtet?

Si është e mundur që të anulohet konkursi dhe të mos rishpallet më?

Pse maltretohen shkencëtarët, përderisa Ministria nuk sqaron problemet që ka me Komisionet Shkencore?

Si është e mundur që gabimet e tmerrshme që bëhen në Ministri t’i paguajnë shkencëtarët dhe studiuesit dhe jo ata që kanë bërë emërime të tillë të jashtëligjshme?

A është ky shpërblimi që dëshironi të ofroni për shkencëtarët e rinj?

A e keni të qartë sa merr kohë dhe angazhim përgatitja e një aplikimi të tillë, me kriteret që kërkoni, me publikimet shkencore që kërkoni, me numrin e referencave?

Ta lëmë anash maltretimin që na ndodh neve, si mund të shpjegoni angazhimin që kërkoni nga institucionet kredibile ndërkombëtare që të shkruajnë letra reference dhe në fund të injoroni komplet dhe të mbyllni një konkurs të tillë?

Si është e mundur që ju kërkoni ekspertizën e gjithë botës, trumbetoni “kthimin e trurit” dhe në anën tjetër poshtëroni në këtë mënyrë ata që aplikojnë për një çmim të tillë?

A meritojnë një trajtim të tillë shkencatrët dhe ata që përpiqen të promovojnë hulumtimin shkencorë në Kosovë?

Unë mund të pranoj që për çmimin Shkencëtari i Ri i Vitit mund të mos mjaftojnë 6 artikuj shkencorë në revista shkencore ndërkombëtare, 19 citime, 1 libër, një kapitull libre të botuar nga Routledge, 1 instrument për matjen e gjuhës receptive dhe ekspresive, 50 prezantime shkencore në konferenca shkencore vendore dhe ndërkombëtare, 9 grante dhe bursa vendore, 2 çmime për punimet më të mira dhe 2 nominime për punimet më të mira në konferencat shkencore ndërkombëtare dhe 2 anëtarësime në trupat profesionale ndërkombëtare. Por, më falni që nuk mund të pranojë një injorim të tillë dhe mungesë të përgjegjësisë nga ana e Ministrisë së Arsimit. Mund të pranojë një JO të argumentuar, por një poshtërim të tillë nuk e pranoj dot.

Duke iu paralajmëruar që unë do të ndjek çdo rrugë ligjore për të adresuar një trajtim të tillë të papërgjegjshëm, iu bëj thirrje që të shqyrtoni vendimin tuaj dhe të ndihmoni në instalim të një kulture, që të paktën garanton trajtim të dinjitetshëm të atyre që përpiqen të avancojnë edukimin dhe hulumtimin shkencorë. Personalisht, unë e konsideroj që ky është një paradoks që nuk duhet të përsëritet dhe do të përpiqem me gjithë qenien time, që kjo ankesë të trokasë në çdo derë institucionale, në mënyrë që konkurset të mos kontrollohen nga teket personale, por nga parimet ligjore.

Me respekt
Fitim Uka, PhD

Shpërndaje në: