Liburn Aliu flet për Periskopin, qetëson Dollcin e Klinën: Po e shqyrtojmë komplet procesin e lejes për fabrikën e Çimentos

Liburn Aliu flet për Periskopin, qetëson Dollcin e Klinën: Po e shqyrtojmë komplet procesin e lejes për fabrikën e Çimentos

Ministri i Mjedisit, z.Liburn Aliu, ka dhënë sot një mesazh për protestuesit dollcian të Klinës, të cilët ka disa ditë që po dalin në rrugë për të shprehur kundërshtinë e tyre rreth ndërtimit të fabrikës së Çimentos në fshatin e tyre  – Dollc. Ministri Liburn Aliu i ka thënë sot Periskopit, se procesi ‘do të shqyrtohet komplet’…

Ka disa ditë që qytetarët e Dollcit të Klinës, po protestojnë kundër ndërtimit të fabrikës së Çimentos në fshatin e tyre dhe përreth me moton “Klina lule Dukagjini, e jo kancer i Dukagjinit”.

Arsye e protestës së tyre, është se ata po e vlerësojnë që ndërtimi i saj, do të shkaktonte ndotje të madhe – jo vetëm në këtë fshat (po se po), por në gjithë rajonin e Dukagjinit.

Periskopi ka pyetur ministrin e Mjedisit, z.Liburn Aliu lidhur me problemin dhe ai tha se po e ‘shqyrtojnë komplet procesin për lejen e aplikimit”.

“Jemi duke i parë me shumë seriozitet protestat e banorëve. Jemi duke shqyrtu komplet procesin e dhënies së lejes së aplikimit. Nëse ka ndonjë shkelje ligjore, do të marrim masa dhe do të jemi transparent deri në fund”, i tha Periskopit, z.Liburn Aliu.

Tutje, ai bashkëndjeu me dollcianët e Klinës, duke thënë se edhe vet dikur ka qenë protestues dhe se ‘protestën e merr shumë seriozisht’.

Mendoj që shpejt do marrin përgjigje, vet kam qenë protestues dhe e marr seriozisht kur protestojnë në rrugë. Nëse gjithçka sipas ligjit, do e themi truç. Nuk vleresohet dicka e dëmshme dhe njëkohësisht të mos ketë shkelje. Nëse është e dëmshme e të mos kete shkelje, nuk ka mundësi”, ka thënë Aliu për Periskopin.

Ndryshe, me mesazhe si ‘ “Stop Ndotjes”, “Mos ndërhyni në tokën tonë”, “Fabrika e Çimentos, jo në Klinë”, “Të parët na e lanë këtë tokë”, e të tjera, dhjetëra-qindra klinezë ka ditë që po protestojnë në rrugë, kundër kësaj fabrike./Periskopi

 

Shpërndaje në: