Lirinë që pushteti aktual po do ta ngulfasë: Rastet e sulmeve ndaj gazetarëve që 1 vit

Lirinë që pushteti aktual po do ta ngulfasë: Rastet e sulmeve ndaj gazetarëve që 1 vit

Dita e Lirisë së Shtypit. Shënim e mesazh që përkon me fjalën e lirë, median e lirë e gazetarin e papenguar në punën e vet. Thelbin e këtij kuptimi, në praktikë nuk e gëzojnë në mënyrë të plotë  gazetarët në Kosovë gjatë ushtrimit të detyrës.  Për çdo ditë përballen me kërcënime, linçime, fyerje e bojkot. Shqetësuese është fakti që këto po vijnë direkt nga pushteti, përfshi Kryeministrinë e Presidencën…

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), në kuadër të raportit për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2021, kishte evidentuar kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë. Gazetarët në Kosovë si kurrë më parë, përgjatë vitit të kaluar dhe në tre mujorin e parë të vitit 2022 u përballën me sfida përgjatë kryerjes së detyrës së tyre. Rastet më specifike dhe serioze po cilësohen linçimet e kërcënimet e ardhura nga pushteti, ku Qeverinë e udhëheqë Albin Kurti e Presidencën Vjosa Osmani, shkruan Periskopi.

Ndër rastet që kishin bërë bujë të madhe dhe ishin kundërshtuar me kritika të mëdha në publik ishte ai i ‘Zotëriut të Parë’, Prindon Sadriut i cili mban edhe postin e ushtruesit të detyrës së ambasadorit në Shkup. Ai i quajti mediat ‘ndërmarrje kriminale’.

Pastaj si rast i freskët është sulmi i shefit të stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit ndaj mediave. Nëse shkojmë në vitin e kaluar, ka me dhjetra raste të gjuhës linçuese e denigruese nga zyrtarë të Vetëvendosjes, e grupe apo mbështetës të Albin Kurtit nëpër rrjete sociale.

E më i fundit që ndodhi, jo më pak shqetësues ishte sjellja e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetares së Periskopit.

Sot, pikërisht në ditën botërore të Lirisë së Shprehjes, Periskopi ua sjell të përmbledhura të gjitha sulmet e pushtetit drejt mediave e gazetarëve përgjatë vitit 2021 dhe 2022 (janar-prill):

15.04.2022 – Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë shtypi ka përdorur gjuhë nënçmuese ndaj gazetares Besarta Hoti. Gazetarja e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, teksa, Sveçla i ka quajtur “budallallëqe” pyetjet e gazetares, Sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale për postin që mbanë dhe gjithashtu ka konotacione seksiste.

21.03.2022 – Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato. AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim.

09.02.2022 – Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”. “Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhatta”, shkruante ai.

02.12.2021 –  Përshkrimi Grupi #mekryeministrin ka vazhduar gjuhën linçuese ndaj gazetarëve. Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto. Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e prapranueshme për AGK-në.

09.11.2021 – Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosjes njëherit ish-kandidatit i kësaj partie për deputet, Hysamedin Feraj, ndaj një grupi të gazetarëve. Në një postim në Facebook, Feraj i ka akuzuar disa gazetarë kosovarë se “punojnë falas për Serbinë”. “Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët, jo (?) Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të!”, ka shkruar Feraj.

11.09.2021 – Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka përdorur gjuhë linçuese ndaj medieve. Këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela disa herë ka përdorur gjuhë dengiruese duke i etiketuar mediat si “të ish-regjimit Pronto”. AGK konsideron se kjo gjuhë është linçuese dhe që shërben për përhapjen e urrejtes dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

08.09.2021 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërcënuar portalin “Albanian Post” dhe drejtorin e tij, Baton Haxhiu, për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës. Në një audio-incizim të publikuar nga “Albanian Post”, Abazi kërcënon hapur Haxhiun dhe mediumin që ai drejton. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin e bërë nga Haki Abazi.

31.08.2021 – Dega e partisë politike Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë, ka linçuar gazetarë dhe media të caktuara, duke nisur nga portali lokal “Jepi Zë”. Akuzat e partisë në pushtet se ky portal është në shërbim të një partie tjetër politike janë të papranueshme. Thirrja për bojkot ndaj portalit lokal dhe gjuha e përdorur ndaj disa gazetarëve është linçim që cenon seriozisht sigurinë e tyre.

17.04.2021 – Drejtor i Gazetës Insajderi, Parim Olluri ishte intervistuar nga Policia e Kosovës, pas disa publikimeve që mediumi i publikoi  rreth sigurimit të vaksinave kundër COVID 19. Për AGK-në është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve. Kjo ishte konsideruar si atakim i porositur nga pushteti.

Raste tjera të evidentuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), edhe të natyrave të tjera gjithsej janë 29 për vitin 2021, të cilat mund t’i gjeni në këtë LINK,

Kujtojmë që Raporti i DASH po ashtu evidenton se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: