Lopa e vrarë nga polici i Kosovës: “Nuk kam ngordhur”

Lopa e vrarë nga polici i Kosovës: “Nuk kam ngordhur”

Disa orë më parë, Periskopi përcolli lajmin nga Kallxo.com ku thuhej se një lopë ishte qëlluar për vdekje nga një polic në Istog.

Krahas shumë komenteve që akuzonin një sjellje të tillë të policit, i cili është nën hetime, kishte edhe disa që kontestonin përdorimin e fjalës “vdekur” në rastin e kafshës në fjalë. Sipas këtij argumentimi, fjala që duhet përdorur në rastin e lopëve dhe kafshëve të tjera ishte ‘ngordhur’.

Sidoqoftë, një gjë e tillë nuk qëndron.

Kjo sepse vdekja definohet si ndërprerja permanente e të gjitha funksioneve biologjike që e mbajnë të gjallë një organizëm fizik. Këtij procesi biologjik i nënshtrohen, të gjitha qeniet e gjalla. Që nënkupton, ashtu si njerëzit mund të vdesin edhe kafshët.

Por, dredhia në përdorimin e ‘ngordhjes’ si term qëndron te rrënja religjioze e këtij dallimi, tashmë të kapërcyer. Përmes tij, mësyhej të tregohej dallimi thelbësor mes njeriut, si një qenie tej-biologjike dhe kafshëve. Ky debat antropologjik është mbyllur shumë kohë më parë dhe nga teoria e evolucionit ne mësojmë që njeriu në fakt, përkundër veçorive, i nënshtrohet po të njëjtin rend biologjik si kafshët e tjera.

Kësisoj, del që lopa vdes dhe nuk ngordh. Kjo fjalë tashmë ka marrë një kuptim tejet negativ në diskursin publik duke qenë se i inferiorizon dhe poshtëron kafshët, duke e pamundësuar rritjen e vetëdijes kundër keqtrajtimit të tyre.

Në fjalor, ky është një nga kuptimet e fjalëve “2. keq. Vdes. Ngordhnin rrugëve (në kurbet). Ngordhi beu. Ngordhi si qen. Armiqtë le të ngordhin.”

Për më tepër, në gjuhën angleze dhe gjuhët e tjera të botës, një dallim i tillë nuk ekziston. /Periskopi/

Shpërndaje në: