Lute-lute secilin shtet: Njohësit e diplomacisë porosi Donika Gërvallës pas deklaratës ku s’e bën hesap Greqinë

Lute-lute secilin shtet: Njohësit e diplomacisë porosi Donika Gërvallës pas deklaratës ku s’e bën hesap Greqinë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla po kritikohet nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare për deklaratën e saj të fundit në të cilën tha se “ne nuk po e lusim Greqinë për njohje pasi që jemi njohur tashmë nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.

Mos-lutja e Greqisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur po konsiderohet gabim nga profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi.

Gashi në një deklaratë për Periskopin ka thënë se Kosova duhet ta lus secilin shtet që nuk e ka njohur pasi që ka nevojë për njohje të reja.

“Deklarata e ministres se “… ne nuk e lusim Greqinë për njohje, se jemi njohur nga shumica e shteteve të BE-së dhe të NATO-s” konsideroj së është një gabim i radhës i saj sa i takon komunikimit diplomatik më shtetet jonjohëse. Republika e Kosovës ka nevojë të lus secilin shtet veç e veç qe nuk e ka njohur Kosovës qe ta bëjë atë.”, ka thënë Gashi për Periskopin.

Me tej, profesori universitar theksoi se MPJ duhet të shfrytëzojë të gjitha mjetet e komunikimit me shtetet mos-njohëse.

“Për më shumë MPJ duhet të shfrytëzoj të gjitha linjat formale të komunikimit më instancat vendimmarrëse të shteteve jonjohëse për t’i sensibilizuar ato për të arritur njohjen. Pa diskutim duhet përdorur shume edhe diplomacinë publike.”, u shpreh ai.

Ndërkohë, politologu kosovar, Avdi Smajljaj po e sheh si ‘arrogancë’ deklaratën e ministrës së Jashtme, Donika Gërvalla dhe se nuk i shërben përafrimit të raporteve me Greqinë.

“Besoj se kjo deklaratë reflekton një lloj arrogance në politikën e jashtme të Kosovës, një arrogancë për të cilën Kosova nuk e ka as luksin e as nevojën që ta bëjë. Gjithashtu, kjo deklaratë nuk i shërben lëvizjes drejt një përafrimi të mundshëm të relacioneve në mes Greqisë dhe Kosovës, që mund të rezultonte me njohje.”, ka thënë Smajljaj për Periskopin.

Tutje, ai ka thënë se kjo mund të kthehet më keq.

“Një deklaratë e tillë mund të marr edhe përgjigjen e njejtë, reciproke, nga Greqia, nëse u paskan njohur shumica e shteteve të BE, atëherë pse u dashka edhe njohja jonë, besoj se ju mjaftojnë ato. Ministria e Punëve të Jashtme, do të duhej ta dinte, e në bazë të asaj të deklaronte e vepronte, se është Kosova që ka nevojë për njohje, e jo Greqia për njohjen e Kosovës. Interesat e Greqisë për njohje nga Kosova janë të natyrës kryesisht ekonomike, e jo shumë domethënëse. Ndërsa interesat e Kosovës për njohje, përfshi edhe njohjen nga Greqia janë të domosdoshme për konsolidim të shtetësisë, anëtarësim në NATO, BE, deri diku edhe në OKB, e në shumë organizma tjerë.”, ka thënë ai.

“Një deklaratë e tillë nuk është në shërbim të mbrojtjes së interesit të shtetit të Kosovës.”, ka theksuar politologu Smajljaj.

Kujtojmë që Gërvalla ka rënë në sy me gabimet tragjike në llogarinë e saj në “Twitter”, kryediplomatja ka gabuar pothuajse në secilin publikim.

Vazhdimisht ajo ka ngatërruar flamujt e vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe, ndër të tjera, edhe flamurin e NATO-s me atë të OKB-së etj./Periskopi/

Donika Gërvalla: Nuk i lutemi Greqisë për njohje

Shpërndaje në: