Maliqi: Kohën që e ka në dispozicion për president, Kurti po e shfrytëzon duke i kapur institucionet e pavarura
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka thënë se kohën që Albin Kurti e ka në dispozicion për presidentin, po e shfrytëzon për t’i kapur institucionet e pavarura.
Ai ka përmendur Gjykatën Kushtetuese, Bordin e RTK-së, KPM-në e AKI-në.
Postimi i tij i plotë:
Kurti i ka prioritetet shumë të qarta. I gjithë muaji të cilin e ka në dispozicion për t’u zgjedhur presidenti (duke e pasur edhe U.D president nga VV) po kalohet duke e pasur si prioritet sigurimin e kontrollit mbi institucionet e pavarura që janë kyçe për demokracinë. Gjykata Kushtetuese, Bordi i RTK, Komisioni i Pavarur i Mediave, AKI – të gjitha janë çuditërisht në proces të përzgjedhjes së drejtuesve nga një shumicë përndryshe e karakterizuar nga dembelia për punë serioze. Për shkak se shumica e tashme parlamentare dhe qeverisja me president U.D ia jep këtë mundësi, Kurti qartazi nuk ka pasur interesim për konsensus me opozitën për presidentin. Me këto institucione së shpejti nën kontroll, edhe Presidenti, edhe zgjedhjet e reja bëhen më pak problematike. E din baba çka po lypë “populli” e po ua jep. Skenar i parë dhe përjetuar në të gjithë Ballkanin dhe që përfundon dikur me fatin e Orbanit.



