Maliqi kritikon Osmanin: Qyqare që bën sehir, tani kinse po merr guxim me i komentu vendimet e Kushtetueses
Në fillimin e muajit gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një konference për media njoftoi se ka tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, për të cilin konsideron se ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë, sbkruan Periskopi.
Mirëpo sot, Osmani ndërroi busullën.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina njoftoi se Osmani do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Ky veprim i Osmanit, nuk po duartrokitet nga analisti, Shkezen Maliqi.
”Zgjim nga gjumi”, u shpreh Maliqi në një përgjigje për Periskopin.
“Po tash çka me komentu? Vetë zgjimin e Presidentes nga gjumi? Sipas përshkrimit ndoshta më të rëndësishëm të detyrave të saj, është gardiane e funksionalitetit të institucioneve”.
Madje, Maliqi konsideron se Osmani në shenjë të ‘rifuksionalizimit të Repubikës’, do të duhej të jepte dorëheqje, por kjo sipas tij nuk bëhet nga e para e shtetit pasi e njëjta synon të marrë edhe një mandat të presidentes.
“Ka mundur që nga fillimi me i komentu proceset si gardiane, me i ftua shpesh akteret që bllokonin institucionet në konsulta dhe, si masë e fundit, të jap edhe doreheqje nga posti që vendin do të çonte me automatizëm në zgjedhje të reja, kjo për hir të “rifunkcionalizimit të Republikës” dhe jo si qyqare me bo sehir dhe me këqyrë a mundet disi me përfitu edhe një mandat të dytë për Presidente. Kështu ka mbetë vetëm figurante dhe tani kinse po merr guxim me i komentu veprimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Maliqi.
Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime.
Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re.
Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe./Periskopi/
Njëherë e tërhoqi kërkesën, Osmani sërish i drejtohet Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit



