Marin: Finlanda s’ka plane për anëtarësim në NATO

Marin: Finlanda s’ka plane për anëtarësim në NATO

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin deklaroi sot se vendi i saj nuk ka plane të bashkohet me NATO-n në të ardhmen e afërt, por është i gatshëm të mbështesë aleatët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara duke vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ndodh një sulm ndaj Ukrainës.

“Do të kishte një efekt shumë domethënës dhe sanksionet do të ishin jashtëzakonisht të ashpra,” tha Marin për Reuters.

Marin tha se ishte “shumë e pabesueshme” të aplikonte për anëtarësim në NATO gjatë mandatit të saj.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden telefonoi të martën presidentin finlandez Sauli Niinisto për të biseduar me të për herë të dytë brenda një muaji për “rëndësinë e partneritetit të ngushtë të mbrojtjes të Finlandës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, tha zyra e Biden në një deklaratë.

Marin hezitoi të fliste, por tha se besonte se vendet e tjera ishin të vetëdijshme për faktin se Finlanda kishte mbajtur prej kohësh një marrëdhënie “funksionale” me Rusinë.

Kryeministrja Marin përsëriti se Finlanda ka të drejtë të anëtarësohet në NATO nëse dëshiron.

“Askush nuk mund të ndikojë te ne, as Shtetet e Bashkuara, as Rusia, as dikush tjetër”, tha ajo.

“Në përgjithësi, besoj se do të ketë më shumë diskutime rreth NATO-s në vitet e ardhshme,” shtoi Marin.

Finlanda vendosi në dhjetor të blejë avionë F-35 dhe pajisje ushtarake në përputhje me standardet e NATO-s.

Sondazhi i fundit nga e përditshmja më e madhe finlandeze “Helsingin Sanomat” tregon, se 28 për qind e finlandezëve duan anëtarësimin e vendit në NATO, ndërsa 42 për qind janë kundër.

Shpërndaje në: